Muharremi: Anëtarësimi në KiE ndërlidhet me konstruktivitetin që Kosova tregon në dialog

Prishtinë | 25 Pri 2023 | 11:33 | Nga Ekonomia Online

Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës në një mbledhje të jashtëzakonshme të zhvilluar të hënën, me më shumë se 2/3 e votave ka marrë vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të KiE-së kërkesën për anëtarësim të Kosovës.

Njohësi i integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, vlerëson se Kosovës i mbetet ende shumë punë për të bërë në mënyrë që të arrijë aty ku meriton të jetë.

Në një intervistë për Klankosova, ai ka thënë se rrugëtimi i Kosovës deri te anëtarësimi i plotë në Këshillin e Evropës, më shumë është një proces politik sesa teknik.

“Është hap i rëndësishëm për shkak se e konsolidon më tutje edhe shtet-formimin e Kosovës, por edhe i rrit kredibilitetin e prezencës dhe pjesëmarrjes së saj ndërkombëtare”.

“Çfarëdo përparimi i brendshëm ose i jashtëm e rrit edhe konfidencën e Kosovës si një shtet i ri dhe kjo krijon një bazë edhe më të mirë për t’i çuar edhe më tutje reformat që na bëjnë shtet më të konsoliduar, me ekonomi më të qëndrueshme dhe me mirëqenie më të mirë”.

“Sido që të jetë, Kosova ka shumë punë për të bërë për të arritur aty ku e meriton. Ky veprim nuk është mjet në vete, por është mjet që rrit miqësinë dhe investimet e huaja”.

Tutje, ai shton se Kosova do të arrijë të integrohet në strukturat euro-atlantike për aq sa tregon konstruktivitet në raport me dialogun me Serbinë i cili lehtësohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Unë mendoj që rrugëtimi i Kosovës nuk është krejt teknik, rrugëtimi i integrimit pan-evropian është proces politik ku vendimmarrësit apo shtetet që e pranojnë Kosovën shpesh herë vendosin kushte që ndërlidhen me dialogun e sponsorizuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Sigurisht se kjo është e ndërlidhur me marrëveshjet në Bruksel dhe Ohër për shkak se ne edhe më herët kemi tentuar që të anëtarësohemi, por nuk ka ndodhur”.

Muharremi vlerëson se i gjithë procesi deri te anëtarësimi i plotë i Kosovës në Këshillin e Evropës mund të zgjasë deri në një vit. Megjithatë, ai thekson se përparimi i Kosovës në këtë drejtim ndërlidhet me konstruktivitetin e treguar në dialog.

Kujtojmë se edhe Komiteti i Ministrave në njoftimin e lëshuar të hënën, ka lënë të nënkuptohet se ky proces është politik dhe se ndërlidhet me dialogun Kosovë-Serbi.

“Duke kujtuar Marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe Marrëveshjen e Ohrit të 18 marsit 2023 dhe aneksin e saj të zbatimit, të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja të udhëhequr nga përfaqësuesi i lartë, dhe rëndësinë që të gjitha palët t’i zbatojnë ato në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim. Këshilli i Ministrave vendosi t’i transmetojë Asamblesë Parlamentare për konsultim letrën e datës 12 maj 2022 drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës (dokumenti DD(2022)200), pa cenuar shqyrtimin e ardhshëm nga Komiteti i Ministrave të kësaj kërkese për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës”.

Më pas, i mbetet Asamblesë Parlamentare që të përpilojë një numër raportesh për Kosovën dhe ta japë opinionin e saj në lidhje me anëtarësimin e shtetit tonë në KiE.

Të ngjashme