Muharremi: LVV duket si një ballon i zbrazët, që kur shpërthen, mbetet me 15% të përkrahjes

Prishtinë | 03 Dhj 2025 | 09:33 | Nga Ekonomia Online

Analisti Shenoll Muharremi vlerëson se Lëvizja Vetëvendosje nga një parti e shpresës po kthehet, siç shkruan ai, në rrezik të shkapërderdhjes.

Muharremi thotë se është skandaloze sesi LVV nuk ka thënë asnjë fjalë mbi veprimin e ashpër të përfaqësuesit të tyre në KQZ, Sami Kurteshi që pati mbledhjen e së martës ndaj gazetarëve.

Postimi i plotë:

LVV: Nga Partia e Shpresës në Rrezik të Shkapërderdhjes

Ende nuk po më hiqet nga mendja sjellja e përfaqësuesit të LVV në KQZ dje. Edhe më skandaloze më duket që nga menaxhmenti i partisë nuk ka asnjë reagim për ta ndërruar atë person. Kjo na sjell në pyetjen thelbësore se a është ky niveli i partisë dhe a është kjo ajo që dëshiron të paraqesë dhe ofroj LVV para/për publikun e qytetarin?

Si është e mundur që një parti që pretendohet të jetë serioze të ketë një përfaqësim të tillë, e të sillet me gazetarë dhe me të tjerët në atë mënyrë? Po ju them diçka. Me këtë stil sjelljeje, të kombinuar me krejt zhvillimet tjera të muajve të fundit, përfshirë krizën dhe bllokadën politike, LVV rrezikon të pësojë humbje të mëdha. Potenciali dhe prospektet e saj për të ardhmen nuk duken aspak të mira.

Pesha elektorale e LVV-së është jashtëzakonisht, madje dramatikisht e fryrë, dhe nuk ka asnjë lidhje reale me kapacitetet e saj si parti politike.

LVV duket si një ballon i zbrazët, që kur shpërthen, mbetet me 15% të përkrahjes. Nuk po them që kjo ndodh më 28 dhjetor, por ajo duket të jetë vlera reale. Kur saktësisht shpërthen ai ballon, nuk e di dhe mvaret edhe nga faktorët tjerë dhe konkurrenca, por nuk ka dyshim që me këtë çfarë po shohim sot, partia është në drejtim të shkapërderdhjes.

LVV nuk bashkëpunon me askënd. Ofendon, fyen dhe linçon secilin që mendon ndryshe. Përçan dhe polarizon skajshmërisht shoqërinë, dhe njëkohësisht nuk ka asnjë kapacitet për të menaxhuar ekonominë, energjinë, arsimin apo shëndetësinë. Si mund të ketë një parti me këto specifika një të ardhme të mirë?

LVV duhet të reformohet thellë, gjerë dhe seriozisht, nëse dëshiron të mbetet një faktor konkurrues në skenën politike. Koha nuk po punon më për të. Balloni i fryrë i LVV-së po fillon të tregoj shenja serioze shpërthimi.

Të ngjashme