Muharremi: Po humbim diçka të pakthyeshme dhe të pariparueshme – kohën

Prishtinë | 06 Gus 2026 | 11:31 | Nga Ekonomia Online

Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke kritikuar zhvillimet politike në vend dhe duke thënë se Kosova po humb diçka të pakthyeshme, kohën.

Sipas tij, përveç seancave në Kuvend, debateve publike, ballafaqimeve politike, bllokadave dhe krizave që, siç tha ai, po zgjasin tash e dy vjet, vendi po mbetet pa përparime konkrete dhe pa projekte të mëdha zhvillimore.

Muharremi vlerësoi se mungesa e investimeve në kapacitete të reja energjetike po ndikon në sigurinë ekonomike, mirëqenien dhe sigurinë kombëtare, ndërsa shtoi se besimi i qytetarëve në shtetin e Kosovës dhe kredibiliteti i vendit në arenën ndërkombëtare janë duke u zbehur.

Ai tha se qytetarët po vënë në pikëpyetje aftësinë e politikës për të formuar institucione funksionale dhe për ta drejtuar vendin në frymën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe zhvillimit evropian.

Në reagimin e tij, Muharremi theksoi se temat që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, si ekonomia, mirëqenia, kushtet për bizneset dhe prodhuesit, bujqësia, arsimi dhe shëndetësia, sipas tij, kanë mbetur jashtë vëmendjes së debatit politik.

Ai shtoi se, në këto rrethana, Kosova po vazhdon të përballet me emigrimin e qytetarëve, ndërsa shumë prej atyre që mbeten po mendojnë të largohen në kërkim të një jete më të mirë dhe më të sigurt.

Në fund të postimit, Muharremi u shpreh se vendit i nevojitet një drejtim i ri që do të ndryshonte rrjedhën e zhvillimeve politike, duke paralajmëruar se, në të kundërtën, koha do të humbasë, ndërsa përgjegjësit për këtë situatë nuk do të jenë më pjesë e skenës politike.

Të ngjashme