Komuna e Pejës dhe kryetari i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri, janë gjobitur nga Gjykata Themelore e Pejës me mbi 16 mijë euro, për mos zbatim të vendimeve gjyqësore.
Pavarësisht faktit se për ish-drejtorin e Auditimit të Brendshëm në Komunën e Pejës, Hysni Selamanaj, ekziston një vendim i formës së prerë nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, i vërtetuar edhe nga Gjykata Themelore në Pejë dhe ajo e Apelit, për kthimin e tij në vendin e punës, Komuna e Pejës që nga viti 2016 nuk e ka zbatuar atë vendim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Si rrjedhojë e kësaj, Gjykata Themelore në Pejë vazhdimisht e ka gjobitur Komunën e Pejës për shkak të mos zbatimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë, dhe atë një herë me shumën prej 1 mijë euro, një herë me shumën prej 5 mijë euro dhe një herë me shumën prej 10 mijë euro.
Për këtë rast është gjobitur edhe kryetari i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri, në shumën prej 500 euro.
I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka mohuar se po i kundërvihej vendimeve të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Pejës.
Kurse, gjobat ndaj komunës në fjalë, Muhaxheri i konsideroi si zhvatje të shtetit.
“Unë vendimet gjyqësore i kam zbatuar të gjitha, por që ka kriminel dhe mundohen me sende të rrejshme me zhvat shtetin unë s’kam çka i bëj kësaj punë. Kjo është kapje klasike e shtetit. Unë e kam zbatuar vendimin e gjykatës e këta që po fillojnë procedura zhvatëse i kanë kapë organet e drejtësisë”, ka thënë kryetari Muhaxheri.
Ndryshe, moszbatimi i këtij vendimi nga ana e Komunës së Pejës, Muhaxherit i ka kushtuar me aktakuzë.
Në aktakuzën e ngritur më 3 maj 2017, Gazmend Muhaxheri akuzohet se më 24 mars 2016, si person përgjegjës, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Pejës, ka refuzuar të ekzekutojë vendimin e plotfuqishëm të Gjykatës së Apelit të Kosovës.
Sipas aktakuzës, pasi që Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar, ankesën e të autorizuarit, debitorit Komuna e Pejës, ndërsa vendimin e Gjykatës Themelore të Pejës e ka vërtetuar, i pandehuri nuk e ka ekzekutuar vendimin në fjalë.
Sipas këtij vendimi, i dëmtuari Hysni Selmanaj, është dashur të kthehet në vendin e punës si drejtor i Auditorit të Brendshëm, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet, e duke i paguar 50% të pagës, nga dita e pezullimit e deri në zbatim të këtij vendimi.
Ndryshe, Komuna e Pejës, e kishte pezulluar nga puna, tani të dëmtuarin Selmanaj, me arsyetimin se më 27 prill 2015, kryetari i Komunës së Pejës i është drejtuar Njësisë për Krime Ekonomike të Policisë së Kosovës, me kërkesën për fillimin e hetimeve ndaj Hysni Selmanajt lidhur me dyshimin e bazuar se në mënyrë të kundërligjshme ka bërë tjetërsimin e pronës.
Pasi që hetimet ndaj tij kishin filluar, siç thuhet në aktvendimin e kryetarit Muhaxheri, duke e pas parasysh pozitën e Selmanajt, është vlerësuar se prezenca e tij në zyrë, i pengon hetimet.
Për këtë rast, pas më shumë se një viti, nga ngritja e aktakuzës, më 27 dhjetor 2018, në Gjykatën Themelore në Pejë, kishte arritur të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar, pasi që më parë kishin dështuar tri seanca, gjatë së cilës Muhaxheri ishte deklaruar i pafajshëm për veprën që i vihet në barrë.
Mirëpo, kjo nuk është seanca e shqyrtimit fillestar e vetme e mbajtur për këtë rast. Kjo pasi që shqyrtimi fillestar është mbajtur përsëri më 24 qershor të këtij viti.
Sipas gjykatësit Sejdi Blakaj, pasi që kanë kaluar 90 ditë nga shqyrtimi fillestar i mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar dhe nuk është caktuar shqyrtimi i dytë gjyqësor, ky shqyrtim mund të përsëritej.
Kurse seanca e shqyrtimit të dytë pritet të mbahet më 26 korrik 2019, në ora 14:00.