Pesë mostrat nga Komuna e Pejës të testuara ditën e djeshme kanë rezultuar negative në COVID-19.
Kryetari Gazmend Muhaxheri ka thënë për RTV Dukagjinin se gjendja në Pejë po shkon drejt normalizimit.
“Dje janë kryer pesë teste për raste kontakti dhe të gjitha kanë rezultuar negative. Kjo është shenjë e mirë se nuk ka më të infektuar. Shpresojmë se edhe javën qe vjen s’do të ketë infeksione dhe po shkojmë drejt një normaliteti”, tha ai.
Muhaxheri ka thënë se nga e mërkura do të fillojë ritestimi i personave që tashmë janë të prekur nga COVID-19 për të parë se a janë shëruar.
Kryetari i Pejës ka treguar se tashmë asnjë qytetarë i prekur me COVID-19 nuk është në spital por po qëndrojnë në vet izolim shtëpiak.
“Gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Pacientja që ka qenë në Klinikën Infektive tashmë është shëruar. Kjo është një lajm i mirë. Të shohim tash me familjarët e tjerë a do të ketë shërime tjera”.
Muhaxheri duke folur për karantinën e Pejës ka thënë se është vendim i Institutit të Shëndetit Publik dhe sipas tij duhet respektuar si i tillë.
“Të shohim edhe këto dhjetë ditë si po rrjedh situata”, ka deklaruar ndër të tjera Gazmend Muhaxheri.