Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri në një intervistë për Telegrafin, ka folur rreth Demarkacionit me Malin e Zi dhe raportin e dorëzuar në qeveri nga Komisioni për shënjimin dhe mirëmbajtjen e territorit.
Muhaxheri theksoi se ky raport është thjeshtë një pamflet politik, i cili nuk dëshmon asgjë sa i përket humbjes së territorit.
“Ky raport është thjeshtë një pamflet politik që është i dëmshëm për të ardhmen e vendit. Partitë politike që e kanë bërë kauzë një çështje të rrejshme janë duke e futur Kosovën në qorrsokak për interesa të tyre private”, ka thënë Muhaxheri.
Ai shtoi se ky komision nuk ka dëshmuar asgjë, nuk ka sjellë asnjë agrumet asnjë dëshmi dhe ka shkruar vetëm një pamflet politik që po humbim territor.
“Kjo na prish me SHBA-të, me partnerët tanë evropian dhe krijon probleme të reja për të ardhmen e vendit”, tha Muhaxheri.
I pari i Pejës, theksoi se ky është i vetmi version që mund të shkojë në Kuvend dhe se nuk ka version tjetër, duke theksuar se kjo është një lojë politike dhe se për këto lojëra politike po rrezikohet vendi.