Muhaxheri: Rritja e çmimit të energjisë rrezikon ta rëndojë edhe më shumë standardin e jetesës në Kosovë

Prishtinë | 17 Mar 2026 | 12:15 | Nga Ekonomia Online

Njohësi i çështjeve ekonomike, Arton Muhaxheri, ka paralajmëruar se rritja e mundshme e çmimit të energjisë elektrike nga 1 prilli mund ta rëndojë edhe më shumë gjendjen ekonomike të qytetarëve, në një kohë kur inflacioni tashmë ka filluar të ndikojë ndjeshëm në standardin e jetesës.

“Rritja e inflacionit tashmë ka filluar ta gërryejë seriozisht standardin e jetesës së qytetarëve, ndërsa paralajmërimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike nga 1 prilli rrezikon ta bëjë situatën edhe më të rëndë. Energjia është baza e gjithë ekonomisë dhe çdo shtrenjtim i saj përkthehet menjëherë në rritje të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve”, ka deklaruar Muhaxheri.

Ai deklaron se në fund barrën kryesore të kësaj rritjeje do ta bartin qytetarët, të cilët sipas tij do të përballen jo vetëm me fatura më të larta të energjisë elektrike, por edhe me rritje të çmimeve në pothuajse çdo aspekt të jetës së përditshme.

“Qytetarët jo vetëm që do të përballen me fatura më të larta të rrymës, por edhe me çmime më të shtrenjta pothuajse në çdo aspekt të jetës së përditshme”, ka theksuar ai.

Muhaxheri ka kritikuar gjithashtu diskursin e institucioneve për rritjen ekonomike, duke thënë se realiteti me të cilin përballen qytetarët është krejtësisht ndryshe nga deklaratat zyrtare.

Sipas tij, ndërkohë që flitet për rritje ekonomike, familjet po përballen me rritje të vazhdueshme të kostos së jetesës dhe me paga që nuk po ndjekin të njëjtin ritëm.

“Ironia më e madhe është se ndërkohë qeveria vazhdon të flasë për ‘rritje ekonomike’, ndërsa në realitet qytetarët po përballen me rritje të vazhdueshme të kostos së jetesës. Kur çdo muaj rriten faturat dhe çmimet, ndërsa pagat mbeten pothuajse në vend, atëherë kjo rritje ekonomike duket më shumë si një statistikë për konferenca shtypi sesa një realitet që e ndjejnë familjet në tryezën e tyre”, ka deklaruar Muhaxheri.

Në fund, ai ka theksuar se qytetarët presin përgjigje konkrete nga institucionet për rritjen e vazhdueshme të kostos së jetesës.

“Në vend të propagandës për suksese ekonomike, qytetarët sot po presin përgjigje se pse çdo krizë përfundon gjithmonë në faturën e tyre”, ka përfunduar Muhaxheri.

Të ngjashme