Analisti politik, Arton Muhaxheri, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, e cila ndonëse ka qe katër vjet në pushtet, vazhdon të sillet si një opozitë, duke shmangur përgjegjësinë për dështimet e saj.
“Nuk bëhen dështimet më të vogla, duke i fajësuar të tjerët”, ka thënë Muhaxheri, në një prononcim për Ekonomia Online.
Sipas tij, sa më afër dita e zgjedhjeve, aq më e ashpër po bëhet gjuha e rivalëve politikë në Kosovë.
“Sa më shumë afrohet dita e zgjedhjeve, debati politik në Kosovë po degradon në akuza dhe fyerje të ashpra mes pozitës dhe opozitës. Çështja e korrupsionit është shndërruar në arenë përplasjesh, ku të dyja palët po akuzojnë njëra-tjetrën për dështime dhe keqmenaxhim”.
“Vetëvendosje nuk është më një parti opozitare që mund të vazhdojë me të njëjtën retorikë për të kaluarën. Ata fituan një herë zgjedhjet me këtë narrativë, por tani është e qartë që vendi po përballet me keqmenaxhime edhe më të mëdha nën qeverisjen e tyre. Nuk mund të fshihen pas fajësimit të të tjerëve”, deklaroi Muhaxheri.
Ai shtoi se përpjekja e Vetëvendosjes për të rikthyer debatin mbi keqmenaxhimet e viteve të kaluara është një përpjekje e dëshpëruar për të shmangur vëmendjen nga dështimet e saj aktuale. Sipas tij, qeverisja aktuale është karakterizuar nga mungesa e transparencës, keqmenaxhimi i fondeve dhe politizimi i institucioneve.
“Është koha që Vetëvendosje të pranojë përgjegjësinë e plotë për gjendjen ku e kanë sjellë vendin. Kjo qeveri nuk ka më alibi për dështimet,” përfundoi Muhaxheri.