Qeveria e Kosovës, përveç deklaratave politike, nuk ka marrë ndonjë veprim konkret për ta trajtuar krizën ekonomike të shkaktuar nga pandemia.
Kështu thotë njohësi i çështjeve ekonomike, Arton Muhaxheri, në një intervistë për Ekonomia Online. Sipas tij, të gjitha reagimet kanë qenë me vonesë dhe problemet veçse po grumbullohen dhe do të jetë shumë më vështirë të sanohen.
“Kriza e pandemisë përveç që ka shkaktuar një krizë në aspektin shëndetësor, ajo ka shkaktuar edhe në ekonomi. Mendoj që këto pasoja ende nuk janë duke u parë mjaftueshëm por në ditët në vazhdim do të jemi dëshmitarë dhe do t’i shohim pasojat gjithnjë e më shumë. Qeveria nuk ka marrë ndonjë iniciativë të rëndësishme ose efikase për ta parandaluar këtë krizë ekonomike”.
“Të gjitha reagimet kanë qenë me vonesë dhe problemet veçse grumbullohen dhe më vështirë mund të trajtohen. Ne jemi në këtë fazë ku kemi grumbullim të problemeve ekonomike dhe nuk kemi asnjë iniciativë përpos deklaratave politike për të trajtuar seriozisht krizën ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19”, ka thënë ai.
Muhaxheri ndër të tjera theksoi se qeveria për arsye të paditurisë si ta trajtojë problemin është duke e neglizhuar zgjedhjen e problemin ekonomik. Thotë se zgjidhjet e problemeve nuk bëhen nga zyra por duke dalë në terren.
“Meqenëse ne jemi vonuar në pakon emergjente, ne jemi vonë edhe me pakon e rimëkëmbjes ekonomike. Ne ende nuk e kemi kaluar fazën e pakos emergjente, ku ka biznese që ende nuk i kanë gëzuar mjetet të cilat i ka proklamuar qeveria e Kosovës dhe mos të flasë për rimëkëmbjen ekonomike ende nuk ka filluar ajo. Pra ky është problemi serioz”.
“Problem tjetër që ne nuk e dimë saktë as përafërsisht se cilat janë dëmet që i ka shkaktuar pandemia dhe pastaj do ta kemi problem ta trajtojmë këtë çështje si tërësi, sepse kemi informata gjysmake, sepse Qeveria duhet të dalë në terren dhe nuk mund t’i mbledhë informatat nga zyra”, tha ai.
Teksa ka folur për këtë çështje, Muhaxheri potencoi se kompanitë nuk kanë pasur kujdes nga Qeveria.
Madje thotë se bizneset e vogla po shkojnë drejt shuarjes, për shkak të vonesave për trajtimin e problemit ekonomik, raporton EO.
“Nuk ka kompani që ka pasur direkt kujdes nga Qeveria. Tani jemi në një situatë ku bizneset e vogla janë në drejtim të shuarjes, ndërkohë bizneset e mesme vetëm sa janë duke u zvogëluar edhe më tepër për shkak të kësaj situate, sepse kemi një reagim të vonuar të qeverisë ose një mosinteresim për ta trajtuar problemin ekonomik. Kjo vjen si pasojë e kauzave politike dhe kjo i shkakton më së shumti qytetarëve të Kosovës dhe ekonomisë”, tha ai.