Muhaxhiri: Vendimi i Kushtetueses për Ekipin Negociator – hyrje në zgjedhje të reja

Prishtinë | 27 Qer 2019 | 18:45 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Kushtetuese e ka vlerësuar se Delegacioni Shtetëror për Dialog është jokushtetues.

Analisti politik Artan Muhaxhiri është shprehur se ky vendim i Kushtetueses mund të sjellë zgjedhje të reja.

“Në Kosovë është çudi nëse merret ndonjë vendim apo ndodh diçka konstruktive sepse për gjëra destruktive që e trazojnë opinionin publik dhe sistemin politik jemi mësuar”.

“Ka disa vite që kemi vazhdimisht vendime të tilla dhe edhe ky vendim duhet të shihet në këtë çoroditjen e sistemit politik ku bëjnë pjesë të gjitha partitë politike, pra spektri politik në përgjithësi”.

“Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, në aspektin politik, është një hyrje në zgjedhje të reja sepse nuk ka kuptim më që këto institucione ta vazhdojnë jetesën e tyre”.

“Po shihet qartë që këto institucione po i sjellin vetëm stagnim Kosovës dhe janë bërë tragji-komike”.

Muhaxhiri në Info Magazine të Klan Kosovës ka treguar disa nga arsyet se pse është koha që vendi të shkojë në zgjedhje.

“Kemi një Kuvend jofunksional i cili mban mbledhje me nga 30 deputetë, kemi Qeverinë që ka vetëm 58 vota dhe nuk e ka as minimumin prej 61 votave dhe kemi një opozitë që më shumë e lufton pjesën tjetër të opozitës se sa presidentin apo qeverinë”.

“Është kaos politik i cili po rezulton me stagnim. Ne i pamë edhe konkluzionet e Këshillit të Ministrave të BE-së që 90 % ishin negative – nuk ka liberalizim të vizave, nuk ka ecuri sa i përket sundimit të ligjit dhe nuk ka ecuri sa i përket integrimit të Kosovës në BE”.

“Këto institucione me këtë mënyrë të funksionimit po i bëjnë dëm Kosovës dhe qytetarëve. Nevojitet një riformatizim dhe ristrukturim që së paku për një periudhë fillestare gjashtëmujore të ketë ndonjë zhvillim pozitiv sepse me këto institucione ka vetëm stagnim”.

Të ngjashme