Muhaxhiri: Zhgënjyese qasja e opozitës për ta bërë qeverinë, thënie e fjalëve të fundit si fjalë të para

Prishtinë | 08 Pri 2025 | 08:28 | Nga Gzim Mujaj

Në një situatë të paqartë politike, ku ende nuk ka shenja konkrete për krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve, analisti politik Artan Muhaxhiri kritikoi opozitën, duke theksuar mungesën e vullnetit dhe maturisë politike për të formuar një qeveri të re, ndonëse i ka numrat për ta bërë këtë, raporton Ekonomia Online.

“Ka qenë jashtëzakonisht zhgënjyese qasja e opozitës, sepse edhe pse i kanë numrat për ta bërë qeverinë, ka munguar vullneti, ka pasur krekosje krejtësisht naive, thënie të fjalëve të fundit si fjalë të para. Pra, nuk mund të kërkohet posti i kryeministrit, nuk mund të vendosen vija të kuqe para se të fillojë çfarëdo lloj bisede, debati, harmonizimi për një koalicion, i cili do të duhej të ishte shumë taktik edhe shumë i baraspeshuar. Për arsye se do t’i kishim katër parti shqiptare, por edhe pakica gjithsesi. Mendoj që opozita nuk ka treguar ide, nuk ka treguar guxim, nuk ka treguar plan se si ta krijojë qeverinë dhe kjo është krejtësisht e pakuptueshme, pasi shumë lehtë do të mund të vinin në qeveri, në pushtet. Kushdo që shkon me kryeministrin Kurti do ta ketë të vështirë, sepse do të jetë pakicë, prandaj edhe Kurti do ta ketë edhe të drejtën morale, por edhe legjitimitetin e votuesve që ta dominojë atë qeveri. Në një qeveri të opozitës, forcat do të ishin më të baraspeshuara dhe do të mund të kishte më shumë pushtet për partitë opozitare”, tha ai.

Muhaxhiri gjithashtu komentoi përplasjet mes partive opozitare për postin e kryeministrit, duke i cilësuar ato si joserioze dhe të dëmshme për procesin.

“Mosmarrëveshjet mes PDK-LDK sa i përket postit të kryeministrit janë tipike ballkanike, janë infatile, tregojnë një mungesë të plotë të vizionit, të planifikimit dhe të realizmit. Pra, nuk mund t’i ketë Kosova tre apo katër kryeministra, edhe absolutisht në biseda të tilla duhet të shkohet me më shumë logjikë, me më shumë realizëm, me më shumë pragmatizëm nëse dëshirojnë të arrijnë sukses. Në të kundërtën mund të dalin vazhdimisht nëpër media, të bëjnë spektakle, por efekti do të jetë zero”, tha ai.

Sipas tij, me gjithë faktin që Vetëvendosje nuk ka siguruar shumicën parlamentare, kryeministri Kurti ka ende hapësirë kohore për të tentuar të ruajë pushtetin, ndonëse kjo do të kërkojë një strategji të kujdesshme deri në afatet kushtetuese.

“Me rëndësi jetike për krijimin e qeverisë janë bisedat mes liderëve të partive më të fuqishme të Kosovës. Aktualisht, kryeministri Kurti nuk i ka bërë të ditur që i ka 61 deputetë për ta krijuar qeverinë, por absolutisht ka kohë. Gjithsesi besoj që ai do të shkojë deri në limitet institucionale të kohës së paraparë me Kushtetutë, që eventualisht të bëjë ndonjë veprim në momentin e fundit, pasi nuk besoj që ai ka vullnetin të rikthehet në opozitë dhe do të bëjë çmos që ta ruajë postin aktual që e mban”, tha analisti politik Artan Muhaxhiri. /Ekonomia Online/

Të ngjashme