Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Armend Muja, ka folur pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, duke thënë se të enjten do të mbahet seanca solemne, raporton Ekonomia Online.
Muja tha se nga java e ardhshme në rendin e ditës do të jenë projektligjet për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe për deklarimin e prejardhjes dhe kontrollit të pasurisë.
“Të enjten mbahet një seancë solemne. Në ndërkohë nga java e ardhshme, janë këto pika të rendit të ditës. Dy ligje të rëndësishme në luftën e korrupsionit kanë hyrë në rendin e dytë, projektligji për byronë shtetërore dhe verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, projektligji për deklarimin e prejardhjes dhe kontrollit të pasurisë. Po ashtu, në rend dite është edhe projektligji për Agjencinë për Akreditimin. Këto janë esenciale për javën e ardhshme. Jemi dakorduar që javën tjetër të ketë seancë edhe për dialogun dhe politikën e jashtme”, tha ai.
Muja ka komentuar edhe deklaratën e Besnik Tahirit, i cili e quajti Qeverinë Kurti, si më të dobëtën në historinë e Kosovës. Tha se një gjë e tillë është e pasaktë.
“Mendimi i kolegut është i pasaktë, s’ka nevojë për shumë shqyrtim. Se sa e dobët apo e padobët duhet të marrim indikatorët matës. E para, sa i përket vaksinimit, kemi qenë të fundit kur kemi ardhur (pushtet), ndërkaq sot jemi lider. E dyta sa i përket ekonomisë. Kosova ka vështirësi ekonomike. BKQ thotë që kemi pasur rritje 9.9 për qind, rritje reale”, deklaroi Muja.