Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, ka thënë se në Kosovë konsumatorët në shumë raste kanë blerë produkte duke menduar se janë qumësht, mazë apo djathë, ndërsa sipas tij, raportet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kanë konstatuar se këto produkte nuk kanë qenë të tilla, raporton Ekonomia Online.
Muja, në një konferencë për media, ka thënë se kjo situatë duhet të përfundojë në Republikën e Kosovës.
“Konsumatori në shumë raste ka blerë produkte duke menduar që janë qumësht, ka blerë mazë duke menduar që është mazë, ka blerë burek me djathë duke menduar që është burek me djathë. Atëherë më lejoni të konstatoj me keqardhje që në bazë raportit të AUV-it, konsumatori ka blerë produkte për mazë po s’ka qenë mazë, ka blerë produkte për qumësht po s’ka qenë qumësht, e ka blerë produkte të tjera që na ofrohen djathë e s’ka qenë djathë. E kjo duhet të mbarojë në Republikën e Kosovës”, tha Muja.
Ai ka thënë se qytetarët duhet ta dinë saktë përbërjen dhe natyrën e produkteve të bylmetit që blejnë, duke theksuar se këto produkte përdoren edhe në mënyrë zinxhirore në industrinë e ushqimit.
“Produktet e bylmetit, familjet tona, shteti ynë, qytetarët e Kosovës duhet ta dinë saktë a është maza, mazë apo është qumështi qumësht, a është gjiza gjizë. Në shumë raste është konstatuar që jo. Por duhet ta dini edhe diçka tjetër, ka edhe një çështje. Këto produkte barten në mënyrë zinxhirore në industrinë e ushqimit. Bureku me djathë nuk ka etiketë, atë e blen konsumatori në furrë dhe nuk e ka mundësinë as informacionin për të përzgjedhur. Pitja me mazë, flija me mazë, i gjithë ky zhvillim është duke prekur të gjitha produktet e bylmetit që e karakterizojnë identitetin gjeografik të produkteve tona. Dhe kjo duhet të përfundojë”, tha ai.
Muja ka paralajmëruar se subjektet që, sipas tij, mashtrojnë konsumatorët përmes etiketimit të produkteve për qëllime përfitimi nuk duhet të vazhdojnë një praktikë të tillë.
“Ata të cilët në emër të profitit kanë zgjedhur që të mashtrojnë konsumatorin nuk mund të vazhdojnë. Në rast se vaji i palmës qenka i mirë, unë i inkurajoj subjektet që në etiketën e tyre ta vizatojnë palmën, jo djathin, jo qumështin. Për të gjithë ata që e relativizojnë këtë çështje, ju lutem ia leni profesionistëve të shëndetësisë, kimistëve ushqimorë edhe ekspertëve që i mbrojnë të drejtat e konsumatorit ta japin fjalën e tyre”, u shpreh Muja.
Ai ka thënë se institucionet janë të obliguara ta zbatojnë Ligjin për Ushqim dhe Ligjin për Konsumatorin, duke theksuar se këto ligje duhet të zbatohen në tërësi.
“Po ashtu, dëshiroj t’ju informoj që gjatë gjithë kësaj periudhe ka pasur përpjekje për ta relativizuar këtë çështje. Ju tregoj me përkushtim e me përgjegjësi, asnjë motiv tjetër përpos zbatimit të Ligjit për Ushqim, Ligjit për Konsumatorin. Ky është motivi ynë i vetëm. Ne jemi të mandatuar për ta zbatuar ligjin. Nuk na thotë ligji që ai mund të gjysmë zbatohet as të pak zbatohet, ai duhet të zbatohet në tërësi. Madje Ligji për Ushqim e detyron AUV-in që këto edhe t’i informojë subjektet jashtë, edhe shtetet anëtare të BE-së, edhe shtetet mike sepse është një institucion i integruar në rrjetin e raportimit të shpejtë dhe tërheqjes së produkteve”, tha Muja.
