Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka shënuar 20-vjetorin e themelimit. Pjesë e kësaj ngjarjeje ishte edhe laureati i Çmimit Nobel për Paqe 2018 Dr. Denis Mukwege, raporton Ekonomia Online.
Mukwege tha se ndihet i privilegjuar që erdhi në Kosovë derisa thotë se është detyrë e tij që të komunikojë me ato gratë që kanë përjetuar tortura gjatë vitit 98/99 në Kosovë.
“Për mua është privilegj të jem sot në Kosovë dhe me vite me radhë jemi në kontakt me viktimat e dhunimit në Kosovë. Për mua ka qenë detyrë të vie dhe të kontaktoj me to për atë çka kanë përjetuar gjatë viti 98/99 në Kosovë. Gjatë karrierës sime kam pasë rastin të takohem me gra dhe të njoftohem me dhunën që iu është bërë. Në vendin tim përdhunimi është përdor si strategji gjatë luftës. Në Kosovë, Bosnje është përdorur dhunimi si pastrim etnik. Për 20 vite kemi shëruar me shumë 55 mijë raste të dhunimit në spitalin tonë”.
“Çdo herë duhet ta bëjmë dallimin mes përdhunimit në Kosovë dhe Kongo. Përdhunim duhet ta kuptojmë si një akt shkatërrues i njeriut. Sot do të keni të pranishëm një viktimë që vjen prej Sudanit jugor. Sot në të gjitha konfliktet dhunimi përdoret ai një armë. Kudo që kemi shkuar gratë kanë pasur frikën dhe nuk janë shprehur për shkak të patriarkatit në shoqëri. Dhe heshtja është gjëja më e keqe”.
Sipas tij, 20 vjet pas luftës në Kosovë asnjë rast nuk është dënuar dhe për të ky është një mesazh negativ për të dhunuarat.
“20 vjet pas luftës në Kosovë asnjë rast nuk është dënuar dhe ky është një mesazh negativ për viktimat e dhunës seksuale. Të gjithë duhet t’i përkrahim ato gra që vuajnë në trupin e tyre. Drejtësia nuk e ka vetëm rolin e ndëshkimit, por ka rolin që të mos përsëriten gjërat dhe të intervenoj në shërimin e viktimave. E përgëzojmë qeverinë Kosovare për amendamentin që është bërë në ligjin e 2014-tes dhe falë QKRMT-së. Fal këtij ligji këto e kanë statusin e viktimës dhe tani mund të përfitojnë. Ju si gazetar dhe ne si shoqëri duhet të përkrahim gratë dhe t’i inkurajojmë që ato që shkojnë në komision dhe për të treguar rastin”, tha Mukwege.
Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti, tha se asnjë rast i të mbijetuarve të dhunës seksuale nuk ka fituar drejtësi. Ajo premtoi se në vitet në vazhdim theks i vecantë do t’i kushtohet kësaj kategorie.
“Doktori me angazhimin dhe punën e tij po e ngre agjendën e të mbijetuarve nga krimi i dhunimit në Kosovë. Dje e ka vizituar QKRMT-në dhe ka qenë një moment historik dhe ka dëgjuar për sfidat që ballafaqohen këto organizata. Pastaj ka vizituar kompleksin “Heroinat” dhe ka qenë në Drenas te organizata për të drejtat e grave. Kjo ditë shënon përfundimin e maratonës së Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës. Ne i kemi ftuar edhe udhëheqësit e vendit si dhe tri partitë më të mëdha në Kosovë, por për shkak të agjendave vetëm me Kurtin do ta kemi një takim më vonë. Asnjë rast i të mbijetuarve të dhunës seksuale nuk ka fituar drejtësi, por viteve në vazhdim do t’i japim theks të veçantë”, tha ajo, raporton EO.