Damir Mulaomeroviq nuk ka drojë se do të ndihet i vetmuar në Kosovë, kur të nisë punën si përzgjedhës i Përfaqësueses së Kosovës në basketboll.
Mulaomeroviq është emër i madh i basketbollit evropian dhe komuniteti i këtij sporti në Kosovë pritet të jetë i afërt dhe bashkëpunues me të. Por Mulaomeroviq ka edhe lidhje familjare me Kosovën.
Mulaomeroviq, 43-vjeçar, të hënën është emëruar përzgjedhës i Kosovës në basketboll. Ai punën e nis në fund të muajit, përkatësisht më 29 gusht.
Mulaomeroviq në postin e përzgjedhësit e zëvendësoi amerikanin Brad Greenberg me të cilin Federata e Basketbollit e Kosovës u nda së fundi për shkak të mospërputhjes së orarit.
Greenberg në mes të shtatorit do të jetë në një ceremoni familjare në ShBA dhe për këtë nuk ka mundur të jetë në dispozicion për të drejtuar stërvitjet e Kosovës para sfidës shumë të rëndësishme me Maqedoninë. Të paktën zyrtarisht kjo është thënë të jetë arsyeja e përfundimit të bashkëpunimit.