Agjencia e Punësimit në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), në bashkëpunim më Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), kanë nënshkruar marrëveshjet me përfituesit e programeve aktive të tregut të punës, nga i cili do të përfitojnë 270 punëkërkues, raporton Ekonomia Online.
Ministri Skender Reçica tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje ka për qëllim zvogëlimin e papunësisë në vend.
Ai shtoi se janë të përkushtuar për uljen e papunësisë në vend si një ndër problemet më të mëdha, por edhe në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes.
“Jemi këtu në një ceremoni e cila lidhet me kyçjen e të rejave në punë dhe ne si MPMS na bën të ndihemi mirë. Në të gjitha ngjarjet ku flitet për mundësinë e punësimit për punësimin e të rinjve, duhet këtij lajmi t’i gëzohet çdo qytetar. Punësimi nuk është brengë vetëm e të papunëve, por është brenga jonë dhe jemi duke punuar shumë që të rinjtë e të rejat në Kosovë të kenë mundësi punësimi”.
“Të ju japim mundësi të rinjve që përveç përgatitjeve profesionale, ato përgatitje t’i bëjnë realitet na praktikë përmes trajnimit. Si Qeveri jemi të përkushtuar të përmirësojmë ambientin e të bërit biznes në vend. Jemi të përkushtuar uljen e papunësisë në vend”.
Ai shtoi se shumë shpjet do të arrihen marrëveshje me shtete të BE-së për punësim sezonal të të rinjve.
“Një nga pikat programore të Qeverisë kemi edhe punësimin e një anëtari të familjeve që nuk kanë asnjë të punësuar, po mundohemi që këtë pikë çdo ditë e më shumë ta përfundojmë. Jemi duke punuar në arritje të marrëveshje për punësim sezonal, shumë shpejt do kemi lajme të mira nga shtete të BE-së për bashkëpunim”.
Ndërsa zv.përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, Alessandro Roccasalvo, tha se kjo marrëveshje është mundësi e mirë që punëkërkuesit të trajnohen edhe profesionalisht.
“Të rinjtë që janë duke kërkuar punë kjo është një mundësi e mirë që ata të trajnohen edhe profesionalisht. Sektori privat është krucial, kjo është puna me ministrinë, administratat, agjensionët publike për të përmirësuar jetën e qytetarëve duhet të sjellim bashkërisht sistemin ekonomik të Kosovës dhe kjo është ngritje e sistemit të angazhimit mes MPMS-së dhe UNDP-së, dhe kjo sjell politikën në nivel tjetër. Asgjë nuk mund të bëhet pa partneritet dhe pa punuar bashkërisht”.
Gent Bakija nga Korporata “Ujë Rugove”, ka treguar për mundësinë që kjo korporatë iu ka dhënë 5 punëtorëve për punësim dhe trajnim profesional.
Teuta Berisha, punëkërkuese, ajo tha si juriste e diplomuar ishte e papunë, por ka përfituar nga Zyra për Punë Sociale dhe ka bërë thirrje që të gjithë të papunët t’i drejtohen asaj zyre.