Qeveria e Kosovës vazhdimisht është kritikuar për mos emërimin e ambasadoreve te rinj ne disa prej shteteve mike, pas skadimit te mandatit te diplomatëve dhe konsujve aktual. Për Televizionin Dukagjini, nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë deklaruar se janë në fazën finale të konsultimeve për përzgjedhjen e ambasadorëve të rinj.
Mungesa e përfaqësimit të Kosovës në politikën e jashtme nga ambasadorët po shihet si papërgjegjësi e madhe nga Qeveria e Kosovës. Një mungesë e tillë e ka zbehur diplomacinë kosovare.
Emir Abrashi nga “Demokracia Plus” thotë se mungesa e ambasadorëve tregon edhe mos respekt ndaj shteteve mike.
“Mungesa e ambasadorëve në disa vende e sidomos në vende kyçe është problem i madh për imazhin e Kosovës në botë, për shkak se shtetet e ulin nivelin e përfaqësimit me të ngarkuar me punë në rastet kur kanë ndonjë protestë ndaj një shteti. Ne kemi për shembull Londrën, ku ka 28 muaj pa ambasadorë, ndërsa tash së fundmi edhe në Uashington nuk kemi ambasadorë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Emir Abrashi.
Abrashi tregon edhe shembujt se kur Kosova ka pësuar për shkak te mungesës së emërimit të ambasadorëve.
“Kemi pasur rastin kur Japonia kishte abstenuar për votimin në UNESCO edhe pse ajo është shtet mik i Kosovës, për shkak se në atë kohë kemi pasur mungesë të ambasadorit në atë vend për rreth 2 vite”, deklaroi më tej Emir Abrashi.
Ndërsa nga Ministria e Jashtme dhe Diasporës, thonë se janë në fazën finale të konsultimeve për përzgjedhjen e ambasadorëve të rinj.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është në fazën finale të konsultimeve për përzgjedhjen e ambasadorëve të rinj. I gjithë procesi po zhvillohet konform procedurave të parapara ligjore. Aktualisht nuk ka asnjë boshllëk në përfaqësimin e Kosovës në këto shtete, ku po i kryejnë të gjitha detyrat e parapara diplomatët tanë dhe të ngarkuarit me punë. Si ministri, ajo që mund të garantojmë është se i gjithë procesi do të jetë i drejtë, transparent, dhe në respektim të plotë të procedurave ligjore dhe kushtetuese, si dhe në konsultim të plotë me Kryeministrin e vendit”.
Për shkak të mungesës së emërimeve të reja, sot u njoftua se Vlora Çitaku është kthyer sërish në Uashington në detyrën e saj si ambasadore e Kosovës në SHBA, edhe pse dy muaj me parë, Presidenti Thaçi e kishte nënshkruar dekretin për tërheqjen e saj./Telegrafi