Mungesa e infermierëve sfiduese – Havolli: Sistemi shëndetësor ka mungesa që 20 vjet

Prishtinë | 27 Jan 2021 | 07:41 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, Fitim Havolli, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se ka shtretër të mjaftueshëm në spitale pasi tani numri i të infektuarve me Covid-19 është ulur, por që mungesa e stafit të infermierëve, vazhdon të jetë një sfidë.

“Realisht sa i përket mjeteve mbrojtëse për komunitetin shëndetësor në përgjithësi kemi pasur mjaftueshëm dhe kemi për t’u përballur me këtë virus dhe derisa vaksina ende nuk është duke u dhënë edhe në shtetin tonë do të jetë e vetmja mënyrë për mbrojtjen nga Coronavirusi”.

“Po ashtu edhe shtretër kemi mjaftueshëm përderisa edhe numri është pak më i ulët dhe ka kapacitete të mjaftueshme. Sa i përket komunitetit të infermierëve edhe si sistem shëndetësor ka pasur mungesë të vazhdueshme të këtij komuniteti apo resursi human për t’i shërbyer vendit. Në këtë kohë pandemie roli dhe rëndësia e infermierit ka qenë e jashtëzakonshme me shërbimin që iu është ofruar atyre qytetarëve të prekur me Covid-19”.

“Po shpresoj që në të ardhmen që e gjithë shoqëria dhe shteti do të merren më konkretisht me sistemin shëndetësor dhe të mos na gjej një virus i tillë e që sistemi shëndetësor të jetë i papërgatitur edhe me resurse humane”, tha ai për Ekonomia Online.

Tutje, Havolli tha se që nga paslufta nuk janë trajtuar me prioritet problemet e sektorit të shëndetësisë, prandaj ai thotë se ka vendosur të kandidojë për deputet si pjesë e listës së LDK-së,  ku thotë se nëse arrin ta fitojë mandatin e deputetit do të jetë zëri i komunitetit të infermierëve.

Mes tjerash, ai tha se sigurimi shëndetësor është çelësi i zgjidhjeve të shumë problemeve në shëndetësi.

“Fokusi im konkretisht se pse i jam futur politikës është t’i ndihmojmë sa më shumë sistemin shëndetësor në përgjithësi por në veçanti meqenëse i përkas komuniteti të infermierëve do të kem fokus të veçantë për ato kërkesa të cilat në vazhdimësi i kemi  bërë dhe ato do të jenë tash e tutje nëse e marr besimin qytetar do t’i shtyjmë përpara që shëndetësia të ketë një vend më të merituar”.

“Duke marrë parasysh që shëndetësia që nga paslufta nuk është trajtuar me prioritet nga të gjitha partitë politike. Sistemi shëndetësor ka nevojë të ketë një fokus të veçantë dhe investim shumë më të madh në resurse humane në mënyrë që të ketë pak më i përafërt me shërbime më të avancuara shëndetësore qoftë në aspektin e resurseve qoftë në aspektin e përgatitjeve të tjera profesionale”.

“Sigurimi shëndetësor do të jetë një çelës i zgjidhjeve dhe shumë problemeve në shëndetësi i cili nuk ka ndodhur ende dhe shpresoj që qeveria e re duhet ta ketë në fokus sigurimin shëndetësor të popullatës dhe investimet e vazhdueshme që duhet të ndodhin në resurse humane por edhe ato të infrastrukturës moderne që e ka bota. Por duhet shumë me investuar dhe me shtuar numrin e komuniteteve me nevojë sepse sistemi shëndetësor ka mungesë qe 20 vjet”, përfundoi ai.

Të ngjashme