Kriza energjetike në Kosovë, e cila ka shkaktuar kufizime të furnizimit me rrymë për konsumatorët, po e çrregullon biznesin e Abedin Salihut, i cili është i shtrirë në sektorin e ndërtimit dhe prodhimit të produkteve të betonit dhe hoteleri.
“Jemi detyruar të mbyllim disa sektorë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Salihu, pronar i “Dino Company” nga Lipjani, që numëron rreth 270 punëtorë.
Situata me energjinë elektrike, shton ai, e detyroi të reduktojë edhe numrin e punëtorëve.
“Dino Company”, është një nga kompanitë në Kosovë, e cila eksporton produkte jashtë vendit, dhe si e tillë, Salihu thotë se ka obligime edhe ndaj kompanive me të cilat ka kontrata për eksport.
“… Ata mund të na gjobisin. Ne nuk kemi kontrata që mund t’iu themi se shteti na ndali rrymën dhe nuk mund të vazhdojmë më”, thotë Salihu.
E gjithë kjo situatë, shton ai, po dëmton edhe besimin e partnerëve të biznesit, që siç thotë ai, e kanë krijuar me shumë mund përgjatë 20 viteve.
“Kjo situatë me energji do të çrregullojë punën tonë, çmimet në treg, do të çrregullojë ekonominë”, thotë ai.
Që nga 22 dhjetori, konsumatorët në Kosovë po përballen me reduktime të energjisë elektrike.
Kjo situatë po krahasohet me situatën e pasluftës (1999), kur reduktimet me energji ishin të gjata, deri në 8 orë pa rrymë.
Por, për pronarin e “Dino Company”, Abedin Salihu, kjo situatë është edhe më keqe se në kohën e pasluftës, kur ai kishte themeluar kompaninë.
“Pas luftës nuk kemi pasur aq shumë punë, kemi qenë në fazën emergjente. Tani jemi rritur. Si kompania ime dhe shumë të tjera, kemi gjetur një rrugë ku mund të punojmë, kemi rritur biznesin, kemi obligime. Të vendosësh tani një barrikadë të tillë është papërgjegjësi”, thotë ai.
Salihu: Nuk mund të funksionojmë me gjeneratorë
Gjeneratorët, të cilët në kohën e pasluftës ishin përdoruar në numër të madh nga bizneset, tani Salihu thotë se u takojnë të kaluarës. Sipas tij, kompania e tij e ka të pamundur të funksionojë me gjeneratorë.
“Për dy orë agregati shpenzon 100 euro. Për të pasur, për shembull, hoteli rrymë, i bie në ditë minimumi harxhon 1 mijë euro. Unë nuk i kam 1 mijë euro fitim në ditë, nuk mund të punojmë me humbje. Vetëm për punën në gurthyes do të duhej një agregat 500kw që kushton diku 400 mijë euro”, thotë ai.
Situata energjetike është përkeqësuar pasi konsumi i energjisë nuk po mund të mbulohet nga kapacitetet prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Sipas zyrtarëve te Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), Kosova aktualisht prodhon 600 deri në 800 megavatë rryme në orë, kurse konsumi ka arritur deri në 1,400 megavatë në orë.
Në tregun botëror, çmimi i rrymës është shtrenjtuar dukshëm. Nga 69 euro për megavat sa ishte çmimi vitin e kaluar, në këtë periudhë çmimi i importit të rrymës arriti deri në 600 euro për megavat, ka thënë zëdhënësi i Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike, Viktor Buzhala.
Por, edhe procesi i importit është vështirësuar për shkak të mungesës së këtij produkti në shtetet tjera.
Kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini (AKB), thotë se nga mungesa e energjisë humbjet do të jenë të mëdha për bizneset. Ai shtoi se brenda javëve do të dalin edhe me të dhëna të sakta lidhur me humbjet që pësuan bizneset nga kjo situatë.
“Kjo na bën që edhe më tutje të ngecim në prodhim, shërbime e aktivitete të përditshme. Me lajmet që po rrjedhin nga Kosova se vendit po i kthehet terri është dëmtim i imazhit tek investitorët potencialë. Është e paimagjinueshme të mendohet që në Kosovë nuk ka energji elektrike”, thotë Shahini.
Reduktime mbi 2 orë
Qeveria po kërkon vazhdimisht nga qytetarët që ta kursejnë rrymën.
Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), fillimisht kishte paraparë që reduktimet të zgjasin rreth dy orë në ditë, por që kjo nuk ka ndodhur. Reduktimet janë shumë më të gjata.
Sipas KEDS-it, reduktimet më shumë se dy orë po ndodhin për shkak të mbingarkesës.
Qeveria e Kosovës më 24 dhjetor vendosi masa të emergjencës në furnizim të energjisë elektrike, të cilat do të vlejnë maksimalisht 60 ditë.
Qeveria mund të fillojë me zbatimin e masave menjëherë, por se vendimi duhet të shqyrtohet për miratim edhe nga Kuvendi i Kosovës në afat prej shtatë ditësh.
Kuvendi ka të drejtën e refuzimit të masave dhe në këtë rast Qeveria është e obliguar t’i ndërpresë ato.
Masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë: vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët, dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë/rel