Mungesa e sinjalizuesve në rrugën Kijevë-Dollc vështirëson qarkullimin

Prishtinë | 02 Nën 2024 | 10:44 | Nga Ekonomia Online

Banorë që jetojnë në afërsi të rrugës Kijevë-Dollc po ankohen se nuk ka shenja sinjalistike të punimeve në rrugë, me ç`rast po u rrezikohet jeta atyre dhe ngasësve të makinave. Por nga Ministria e Infrastrukturës kanë thënë se shenjat sinjalistike lëvizin varësisht nga vendi ku bëhen punimet.

Mungesa e pengesave dhe sinjalizuesve të mjaftueshëm nëpër disa pjesë të segmentit rrugor, Kijevë-Dollc, po e vështirësojnë shumë qarkullimin e automjeteve.

Si pasojë nuk janë të pakta rastet kur automjetet, sidomos ato të rënda, aksidentalisht po përfundojnë jashtë rrugës duke shkaktuar rrezik në komunikacion.

“Dje një automjet , kamision transporter i zhavorit është rrokullisur këto nja 200 m nga këtu ku jam unë, prandaj ëhtë mirë që të ketë shenja treguese nëpër rrugë që të mos ndodhin gjëra të tilla e për fat të mirë nuk ka ndodh me ndonjë rast më të rëndë edhe ka shpëtuar lehtë pa ndonjë rast humbje jete. Shenjat normal që janë të domosdodhme sepse janë në interes të qytetarëve të Kosovës” , tha për RTK, Ukë Gllasoviku nga Dollci.

“Punimet janë pak me vonesë duke u bërë, shenja nuk ka duhet me i qit shenjat për cdo rast qytetari me ditë me u orientu kah. Po rrotullohen e rrezohen qytetarët se dikush nuk e din dikushn e din se janë duke punue e një kohë e gjat është duke shku”, tha Avdi Berisha nga Dollci.

Ndërkaq, zyrtarët e Ministrisë së infrastrukturës bëjnë me dije për RTK se sa i përket projektit të zgjerimit të rrugës Kijevë-Dollc në të dy kahet e lotit dhe në segmente të ndryshme janë të vendosura tabelat informuese dhe tabelat e kufizimit të shpejtësisë.

“Në vendet ku janë duke e zgjeruar rrugën, punë-kryesi ka marrë masa që këtë pjesë ta rrethoj me rrjetë të verdhë dhe kufizim të shpejtësisë. Po ashtu në zonat ku kemi devijim rruge, menaxhimi i trafikut është bërë me anë te tabelave informuese dhe rrethimit të zonës me pahi elastike. Sidoqoftë, si mbikëqyrës do ta instruktojmë punë-kryesin që të rris numrin e tabelave dhe shenjave informuese në këtë segment”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga kjo ministri.

Të ngjashme