Mungesa e ujit prek më shumë se 3 miliardë njerëz

Prishtinë | 26 Nën 2020 | 17:19 | Nga Ekonomia Online

Mungesa e ujit ka prekur më shumë se 3 miliardë njerëz përreth botës, pasi sasia e ujit të freskët në dispozicion për secilin person ka pësuar rënie për 1/5 gjatë dy dekadave, ka treguar një analizë e të dhënave.

Rreth 1.5 miliardë njerëz vuajnë mungesën e madhe të ujit apo thatësirën, shkaku i ndryshimeve klimatike, rritjes së kërkesës dhe menaxhimit të dobët, transmeton KOHA. E një gjë e tillë ka ndikuar edhe në bujqësi, veprimtari të cilën e ka vështirësuar.

Kombet e Bashkuara të enjten kanë paralajmëruar se miliarda njerëz do të përballen me uri dhe mungesë të gjerë të ushqimit si rezultat i dështimeve për të ruajtur burimet ujore dhe për të trajtuar krizën klimatike, shkruan The Guardian.

Qu Dongyu, drejtor gjeneral në Organizatën e Ushqimit dhe Bujqësisë në OKB (FAO), ka thënë se çështja e mungesës së ujit duhet të trajtohet me shumë seriozitet.

“Duhet ta marrim me shumë seriozitet edhe mungesën e ujit (çekuilibrin midis furnizimit dhe kërkesës për burime të ujërave të ëmbla) dhe sasinë e pakët të tij (reflektuar në modele joadekuate të reshjeve) sepse ky është realiteti në të cilin të gjithë jetojmë. Mungesa e ujit dhe sasia e vogël në agrikulturë duhet të adresohen menjëherë dhe guximshëm”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se qëllimet e Kombeve të Bashkuara për një zhvillim të qëndrueshëm, që përfshijnë zhdukjen e urisë dhe përmirësimin e qasjes në ujë të pastër, ishin ende të arritura, megjithatë duhet të bëhet shumë më tepër për të përmirësuar praktikat bujqësore në të gjithë botën dhe për të bërë menaxhim të barabartë të burimeve.

Raporti i Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë ka gjetur se 50 milionë njerëz në sub-Saharë e Afrikës jetojnë në zona ku thatësira e rëndë ka pasoja katastrofike në tokat bujqësore dhe kullota njëherë në tre vjet.

E më shumë se një e dhjeta e tokës bujqësore që ujitet me shi i nënshtrohet thatësirës së shpeshtë, që është rreth 14 për qind e kullotave të botës.

Agrikultura nga reshjet e shiut përfaqëson rreth 60 për qind të prodhimit botëror të kulturave bujqësore, dhe 80 për qind e tokës është nën kultivim, me pjesën tjetër që përfiton nga ujitja.

Të ngjashme