Presidenti Hashim Thaçi nuk i ka vënë në dispozicion të Ekipit Shtetëror dokumentet e kërkuara rreth dialogut me Serbinë. Para se të krijohet Ekipi, Thaçi ka zhvilluar disa takime me homologun serb, Vuçiq, por nuk është prezantuar asgjë e shkruar prej tyre, shkruan sot Koha Ditore.
Fatmir Limaj është bashkëkryesues i Delegacionit Shtetëror nga Qeveria, ndërsa Shpend Ahmeti si përfaqësues i partisë së vetme opozitare, PSD. Në prag të vizitës së parë në Bruksel, Limaj ka konfirmuar se janë në pritje të dokumentacionit të presidentit.
“Nga presidenti kemi marrë konfirmimin se do të na i ofrojë të gjitha dokumentet. Por deri tani nuk kemi marrë asgjë, përveç zotimit se do të na japë të gjitha ato që i ka në raport me dialogun Kosovë-Serbi”, ka thënë Limaj për “Kohën Ditore”.
Në Presidencë nuk kanë treguar se pse nuk janë vënë në dispozicion të Ekipit dokumentet e dialogut.
Dakordimi për shkëmbim të informatave ishte bërë pas takimit mes presidentit dhe Ekipit Shtetëror, fundvitin e kaluar. Pas tij, Limaj e Ahmeti kanë theksuar se do të marrin dokumentacionin që lidhet me dialogun. Por me Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit, jo në të gjitha dokumentet do të kenë qasje.