“Mungojke një sasi në vlerë prej 6 milionë…” – Kush janë zyrtarët e përfshirë në “Aferën e grurit” në MINT dhe përse u përfshi AKI-ja?

Prishtinë | 02 Gus 2023 | 08:23 | Nga Ekonomia Online

Është publikuar pjesa e dytë e përgjimeve që shpërfaqin keqpërdorimin me blerjen e rezervave shtetërore, në këtë rast të grurit në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e cila drejtohet nga ministrja, Rozeta Hajdari.

Audio-incizimi i publikuar nga Nacionale ka zbuluar detaje se si është orkestruar ‘Afera e grurit’.

Zyrtarët e MINT-it në këto incizime bisedojnë rreth nënshkrimit të kontratës për blerjen e grurit vitin e kaluar. Ata përmendin me emra disa zyrtarë si Hafiz Gara, Rexha, Arbëri, këshilltari (që nuk dihet nëse është fjala për këshilltarin e ministres, apo të ndonjë zyrtari tjetër)

Krejt përgjimi tregon për zyrtarin Enver Hajruallahu që me pozitë është certifikues. Ndaj tij kishte presione të mëdha për ta nënshkruar kontratën rreth grurit, edhe pse disa ton mungonin.

Certifikuesi nuk pranonte ta nënshkruante.

“Se këta e kanë bërë njëherë grunin me ardhë deri në Shqipëri, tani me shku me marrë po nuk po zgjasim shumë se sekret shtetëror. Edhe tash unë nuk lëshojsha pe, se mungojke një sasi në vlerë prej 6 milionë”, dëgjohet duke thënë zyrtari i MINT-it.

“Unë i kam thanë nuk e paguaj për qetë punë për qetë punë, se tash ky shpediteri ky që e ka pas (nuk kuptohet) e ka pasur edhe shpedicionin, ai thojke e kam pru, shpediteri thojke mungojnë 9 tonë, këta thojshin mungojnë pak ma shumë, se aty në kontratë thuhet se duhet me i sjellë 10 mijë tonë me nen nuk duhet me humb asnjë pike rrugës”, thotë ai.

Ai rrëfen edhe për mosmarrëveshjet me ministren Hajdari, për të cilën thotë se e kanë çu ‘fytas’, e që si duket situata kishte eskaluar gati në sulm fizik.

“Edhe tani hiç, para dy-tri jave një muaji, fytas e kemi çu me ministren. Ma Hafizi ke tu e rrehë. Ajo ju lutem ligjet ndërkombëtare, ky i ka fajet, ky si ka fajet. I thashë ministres nuk i njoh unë ligjet ndërkombëtare, thashë të këqijat… këqyre bre email që ma ka shkru, këqyre email…”, thotë ajo.

Zyrtarët e konfirmojnë se disa nga veprimet kanë qenë të jashtëligjshme.

“Fol ti drejtor që vën vendime të jashtëligjshme”, dëgjohet teksa flet një zyrtar i Ministrisë me një tjetër.

“Edhe tani hiq, para dy tri jave një muaje, fytas e kemi qu me ministren, ma Hafizi ke tu e rre”, thuhet në bisedë.

Gjatë bisedave përmendet edhe drejtori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë. Zyrtarët tregojnë se kanë qenë në mëdyshje nëse duhet të bëhet kjo pagesë apo jo.

“Lem thash me folë, I nderuar drejtor kemi tha qeshtu (nuk kuptohet…) Jo tha normal duhet me u ba ajo pagesë drejtor, certifikuesi po ndërhyj po ta shpjegoj ma gjerësisht (nuk kuptohet) E u ndal ajo, plus drejtori i AKI-së po shkruan drejtpërdrejt (nuk kuptohet) – Edhe po i thotë, veç pak ministre për këtë punë qysh pe shpjegon certifikuesi jo që jeni duke i ba presion, por duhet me vlerësu punën e tij”, thuhet në bisedën e publikuar.

Të ngjashme