Mungojnë 4 të akuzuar, nuk mbahet seanca ndaj grupit të Azem Sylës

Prishtinë | 28 Tet 2019 | 10:42 | Nga Ekonomia Online

Ka dështuar të mbahet seanca  ndaj ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla, dhe 21 të akuzuarve tjerë në procesin gjyqësor  “Toka’’.

Shkak për shtyrjen e kësaj seance ishte  mungesa e të akuzuarve Shaban Syla, Shpresim Uka, Fahredin Gashi dhe Lubisha Bujevic të cilët nuk kanë qenë të ftuar në mënyrë të rregullt sepse nuk janë lëshuar urdhëresa për sjellje Njësitit të Transportit për sjelljen e tyre në gjykatë.

Munguan edhe dëshmitarët Faton Majaci, Mexhid Syla, Mexhit Syla, Dejan Lazic, ishin të ftuar në mënyrë të rregullt por mungesën nuk e kanë arsyetuar.

Ndërsa të pranishëm ishin palët e tjera dhe përfaqësuesi i ATK-së Naim Gjigoli, dhe dëshmitari Edvard Gashi,

Gjykatësi i procesit Beqir Kalludra, konstatoi se kjo seancë shtyhet për datat 11, 20 e 27 nëntor.

Dy seancat e kaluara në këtë proces ishin mbajtur në Gjykatën e Gjilanit dhe ishin të mbyllura për publikun për shkak të sigurisë së dëshmitarit i cili kishte ishte marrë në pyetje përmes videolinkut.

Në këtë rast gjyqësor, Azem Syla dhe 21 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë afër Prishtinës.

Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm.

Prokuroria Speciale më 25 tetor ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Të ngjashme