Nuk do t’i bëhen të ditura publikut argumentet e dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu dhe Remzije Istrefi-Peci, që i kishin përdorur në fund të muajit të shkuar kur kishin votuar kundër Aktgjykimit, me të cilin është shpallur kushtetues Dekreti i presidentit Hashim Thaçi që e ka bërë Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike mandatar për formimin e Qeverisë së re. Nuk do të ketë opinione mospajtuese të tyre, dhe as nuk do të publikohet çfarëdo procesverbali a transkripti nga seanca ku është vendosur për këtë rast.
Në Kushtetuese kanë thënë të enjten se vetë gjyqtarët që kanë votuar kundër nuk kanë kërkuar që të publikohen mendimet mospajtuese, shkruan KOHA Ditore.
“Përkitazi me përgatitjen e mendimeve mospajtuese në një lëndë, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese deklarohen gjatë seancave shqyrtuese dhe ato publikohen bashkë me vendimet”, thuhet në një përgjigje të Kushtetueses. “Në rastin e referuar në pyetjen tuaj, asnjëri prej gjyqtarëve të Gjykatës nuk është deklaruar për përgatitjen e mendimit mospajtues”.
Gazeta ka pyetur edhe dy gjyqtarët Bekim Sejdiu dhe Remzije Istrefi-Peci.
Sejdiu ka thënë se, në bazë të Kodit Etik dhe Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, nuk i lejohet të komunikojë publikisht për çështje që lidhen me vendimet e Gjykatës. Ndërkaq, Istrefi-Peci nuk ka dhënë ndonjë arsyetim.
Në fund të muajit, Gjykata njëzëri ka vendosur që Dekreti “është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës”, dhe ka konstatuar që “votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një qeverie të re në pajtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës”.
Ndërkaq, me shumicë votash ka vendosur që “Dekreti i kontestuar është në përputhshmëri me paragrafin (14) të nenit 84 [Kompetencat e presidentit] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës”.