Ish-sekretari i përhershëm i MSh-së, Ilir Tolaj, bashkë me 5 zyrtarë të tjerë të Ministrisë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës.
Mungesa e prokurorit të çështjes, e dy prej të akuzuarve, e avokatëve si dhe e dëshmitarit bënë që seanca në rastin e ish-sekretarit të përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, dhe 5 zyrtarë të tjerë, të mos mbahet.
Gjyqtarja e këtij rasti, Valbona Musliu-Selimaj, njoftoi palët se ish-prokurori i çështjes, Admir Shala, nuk mund të prezantojë më pasi tani është zgjedhur në detyrën e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit.
Lidhur me këtë, gjyqtarja tha se nuk ka pranuar asnjë njoftim nga Prokuroria Speciale se kush do të përfaqësojë aktakuzën në vazhdim të këtij gjykimi.
Gjyqtarja Musliu-Selimaj tha se për dallim nga avokatët Besnik Berisha dhe Skënder Musa që kanë njoftuar për mungesën e tyre, dy nga të akuzuarit dhe dëshmitari Musa Rexha jo.
Ish-sekretari i përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, bashkë me 5 zyrtarë të tjerë të Ministrisë akuzohen për keqpërdorim të detyrës.
Përveç Tolajt në këtë proces gjyqësor akuzohen edhe Zenel Kuqi, Florije Tahiri, Bekim Fusha, Valentina Haxhiu dhe Remzie Thaçi.
Të akuzuar ishin edhe biznesmenët Arion Lleshi e Shpend Agani, që pranuan fajësinë për veprat penale të mashtrimit dhe të shmangies nga tatimi dhe Gjykata u shqiptoi dënimin me nga dy vjet burg me kusht dhe me nga 1,000 euro gjobë. Po ashtu, Gjykata obligoi biznesmenët t’ia kthejnë shtetit mbi 400 mijë euro.
Seanca e radhës do të mbahet më 21 shkurt.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale ndaj të akuzuarve përbëhet nga tri pika.
Pika e parë akuzon Ilir Tolajn, Bekim Fushën dhe Zenel Kuqin se gjatë periudhës 23 maj 2011 deri më 31 dhjetor 2011 në Prishtinë, në bashkëveprim, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me qëllim që të përfitojë dobi materiale kompania “KMI” sh.p.k., Drenas, me bashkëpronarë Arion Lleshin dhe Shpend Aganin, i tejkaluan kompetencat si dhe nuk i përmbushën detyrat zyrtare të tyre.
Këto veprime të të akuzuarve kompanisë “KMI” i kanë sjellë dobi materiale në shumë prej 400.000 euro. Sipas aktakuzës, në vlerë të njëjtë ata i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës.Për këtë Prokuroria i akuzon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Pika e dytë e aktakuzës e akuzon Zenel Kuqin se në cilësinë e menaxherit të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë të njëjtës periudhë i tejkaloi kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë materiale nga kompania “ACG dhe Standart”, për aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral i aneksit të Emergjencës ekzistuese në QKUK”, kompania “Alb Architect” në aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral dhe adaptimi i katit përdhes në Klinikën Interne, në repartin e ri për dializë në QKUK”, dhe kompania “LifeFarm” për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me infuzione”, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerën totale 276.307.97 euro.
Me këtë, në vazhdimësi, sipas prokurorisë Kuqi ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Pika e tretë e akuzon Valentina Haxhijajn, Remzie Thaçin dhe Florie Tahirin se gjatë periudhës kohore 23.05.2011 deri 31.12.2011, Valentina Haxhijaj në cilësinë e kryetares së Komisionit për Mbikëqyrjen e Ekzekutimit të Kontratës me kompaninë “KMI” si dhe Remzie Thaçi e Florije Tahiri në cilësinë e anëtares, në bashkëveprim duke e shfrytëzuar autoritetin zyrtar më qëllim që të përfitojë dobi materiale kompania “KMI”, i kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare duke i sjellë kompanisë dobi materiale në shumën rreth 400.000 eurove.
Me këtë, në vazhdimësi, Valentina Haxhijaj, Remzie Thaçi e Florije Tahiri kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Pas seancës gjyqësore Naser Sopjani, avokati i Valentina Haxhijajt, tha për KALLXO.com se në bazë të praktikës që ka krijuar gjykata nuk pret se do të aprovohet kërkesa e avokatëve mbrojtës.
“Fatkeqësisht në bazë të praktikës presim që gjykata t’i refuzojë kërkesat tona, sepse e ka bërë praktikë këtë gjë dhe besoj që të shkojmë në shqyrtim gjyqësor”, tha avokati.