Mungon dëshmitari, ndërpritet seanca ndaj të akuzuarit për mospërfillje të urdhrit të gjykatës

Prishtinë | 13 Qer 2024 | 16:23 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, në seancën e së enjtes, është dëgjuar e dëmtuara dhe dëshmitarja E.R, ndërsa ka munguar dëshmitari A.B.

Fillimisht, para fillimit të shqyrtimit, palëve iu është dhënë procesverbali i shqyrtimit të kaluar i datës 14.05.2024 për të nënshkruar dhe për të pranuar nga një kopje, nga gjyqtari Shefqet Baleci, pasi që sipas tij nuk ka pasur në funksion printer në gjykatore dhe as në gjykatë.

Mbrojtësi i të pandehurit, A.H, avokati Asdren Hoxha, ka deklaruar se ka vërejtur disa gabime që duhet të përmirësohen me aktvendim, të cilat sipas tij ia humbin kuptimin fjalive në procesverbal, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë kërkesë të avokatit Hoxha, gjykatësi Baleci mori aktvendim që të përmirësohet procesverbali i shqyrtimit gjyqësor.

Seanca vazhdojë me marrjen në pyetje të të dëmtuarës, R.

E dëmtuara deklaroi se në ditën kritike ishte duke e dërguar vajzën e saj B. te mjeku.

Gjithashtu e njëjta deklaroi se nga ai rast është ndier e frikësuar dhe prej asaj dite ndjek seanca psikologjike.

“Tepër e frikësuar, e shqetësuar së bashku me dy vajzat e mia e sidomos B. ka pas ankth atë natë që ka ndodhur rasti dhe nuk qetësohej. Unë prej asaj dite deri më sot marrë pjesë në seanca psikologjike për shkak të traumava të pësuara. Kam qenë tek psikologja A.O. dhe i mbaj online, prej rastit që më ka ndodhë dhe vazhdoj, për çka posedoj edhe dokumenta”, tha R.

Ndërsa, kur radha e pyetjeve ndaj dëshmitares kaloi tek avokati Hoxha, e dëmtuara nuk u përgjigj në asnjë pyetje të tij duke aluduar se është arrogant dhe ka marrë kërcënime nga ana e tij se do ta padis për fotografitë dhe incizimet që i ka bërë në mënyrë të paautorizuar.

Për seancën e sotme ishte planifikuar të dëgjohet edhe dëshmitari A.B, për të cilin gjykatësi Baleci bëri të ditur se për të njëjtin ka prova që ftesën e ka pranuar dhe se për seancën e radhës prania e këtij dëshmitari të sigurohet me lëshimin e urdhëresës për sjelljen me forcë. Sipas tij këtë urdhëresë do ta zbatojë stacioni i policisë në Drenas.

Në këto rrethana kjo seancë është ndërprerë, kurse e radhës u caktua për një datë tjetër.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – dega në Drenas më 2 mars 2023 kishte shpallur fajtor A.H., duke i shqiptuar të njëjtit dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 muaj.

Kurse, në procedurën ankimore Gjykata e Apelit me aktgjykimin e datës 28 shtator 2023 kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të dënuarit dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar, duke vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.

Ndërsa, Gjykata Supreme më 1 mars 2024 me miratimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të dënuarit, kishte anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe aktgjykimin e shkallës së dytë, duke kthyer çështjen në rigjykim.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2022, kishte ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit A.H., (ish-kunati i të dëmtuarës) për shkak se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i njëjti më 24 maj 2022 në komunën e Drenasit, në afërsi të shtëpisë së të dëmtuarës E.R., me dashje nuk e kishte përfillur aktvendimin aktiv të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Përmes këtij vendimi, të akuzuarit H., i ishte caktuar masa urdhër për mbrojtje edhe pse kishte qenë i njoftuar me përmbajtjen e këtij aktvendimi me të cilin të njëjtit i ndalohej t’i afrohej të dëmtuarës E.R në distancë prej 10 metra, në vendbanimin e saj në fshatin Fushticë e Epërme, ndërsa në vende publike 100 metra.

Sipas aktit akuzues, i akuzuar H., derisa ishte duke e drejtuar veturën i afrohet të njëjtës afër gjysmë metër duke vozitur vrullshëm e duke i frikësuar dy vajzat e mitura me të cilat e dëmtuara kishte qenë duke ecur në këmbë, edhe pse sipas urdhrit mbrojtës i ndalohet që t’i afrohet dhe ta shqetësojë, ofendojë, përulë, godas, kërcënojë, sulmojë, ndjek, përcjellë, shkatërrojë apo kërcënojë pronën persoale ose të familjarëve të saj sipas vendimit të gjykatës.

Me këtë, H., po akuzohet se kishte kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”.

Të ngjashme