Mungon doganieri i akuzuar për korrupsion, shtyhet gjykimi ndaj tij dhe katër të akuzuarve tjerë

Prishtinë | 27 Shk 2023 | 15:11 | Nga Ekonomia Online

Në mungesë të doganierit Nebojsha Vukiqeviç, i akuzuar për korrupsion, ka dështuar seanca fillestare e planifikuar për sot, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në rastin ku përveç të lartcekurit, për kontrabandim me mallra, po akuzohen Shaban Muhaxheri, Visar Muhaxheri, Ertan dhe Avni Dogani.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Habib Zeqiri njoftoi se i akuzuari Vukiqeviç është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo në fletëkthesen e kthyer është shënuar se dërgimi i ftesës nuk është bërë për shkak të situatës, nuk ka mund t’i dërgohet të njëjtit.

Po ashtu, në seancën e sotme fillestare ka munguar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Vukiqeviç, avokati Faruk Korenica, i cili ka njoftuar gjykatën me parashtresë, se i njëjti paraprakisht ishte i caktuar si mbrojtës në një çështje tjetër në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në këto rrethana, kjo seancë u shty dhe ajo e radhës u caktua më 28 mars 2023.

Ndryshe, prezent në sallën e gjykimit ishin të akuzuarit Shaban Muhaxheri, Visar Muhaxheri, Ertan Dogani, Avni Dogani dhe avokatët Ngadhnjim Rudi, Shpëtim Vishi dhe Abdurrahim Islami.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Nebojsha Vukiqeviç, nga data 18 qershor 2022 deri më 13 tetor 2022, në cilësinë e personit zyrtar, si zyrtar doganor pranë Doganës së Kosovës, në pikë kalimin kufitar Hani Elezit, i njëjti me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete ose për personin tjetër, të pandehurit Shaban Muhaxheri, Visar Muhagjeri, Ertan Dogani dhe Avni Dogani, me dashje dhe në vazhdimësi kishte shkelë ligjin lidhur me detyrat apo punësimin e tij, të parapara me Kodin Doganor dhe të Akcizës së Kosovës, Nr.03/L-109, Udhëzimet administrative të brendshme dhe standardet e sjelljes dhe etikës sipas Kodit të Mirësjelljes së Doganës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Vukiqeviç, derisa ishte në detyrë, përmes telefonit i kishte njoftuar të pandehurit e lartshënuar për kohën kur ishte i caktuar në trakë për kontrollimin e automjeteve dhe qytetarëve me rastin e kalimit të kufirit, me ç’rast iu kishte mundësuar të njëjtëve që ta kalonin kufirin duke kontrabanduar mallra të ndryshme, pemë dhe perime nga Maqedonia e Veriut për në Republikën e Kosovës, pa iu nënshtruar procedurave ligjore të kontrollit dhe zhdoganimit të mallit si dhe pa u pajisur me certifikatë mbi kontrollim fito- sanitarë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës.

Ndërsa, thuhet se si shpërblim për shërbimin e kryer nga të njëjtit kishte pranuar shuma të ndryshme të parave nga 5 deri në 300 euro, duke i shkaktuar kështu dëm buxhetit të Republikës së Kosovës.

Me këtë sipas aktakuzës në vazhdim ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 3 nënparagrafi 3.1 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77 të KPRK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit Shaban Muhaxheri, Visar Muhaxheri, Ertan dhe Avni Dogani, nga data 18 qershor 2022 deri më 13 tetor 2022, në pikë kalimin kufitar Hani Elezit, të akuzuarit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, me dashje dhe në vazhdimësi, kishin bartur mallra dhe kanë kaluar vijën kufitare duke shmangur kontrollin doganor, në atë mënyrë që me veturat e tyre kanë transportuar pemë dhe perime në sasi dhe vlera të ndryshme, pa u pajisur me certifikatë mbi kontrollim fito sanitarë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës.

Me këtë secili veç e veç në vazhdim ka kryer veprën penale “Kontrabandimi i mallrave”, nga neni 311 paragrafi 1 lidhur me neni 77 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të ngjashme