Mungon i akuzuari, dështon seanca për keqtrajtim të kafshëve dhe sulm ndaj një polici

Prishtinë | 08 Dhj 2025 | 20:25 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në mungesë të të akuzuarit F.Z., ka dështuar të mbahet seanca të hënën, në rastin ku i njëjti po akuzohet për keqtrajtim të kafshëve dhe pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në seancë ishte prezent prokurori Besart Mustafa dhe mbrojtësja e të akuzuarit F.K, e caktuar sipas detyrës zyrtare, avokatja Bubulina Cakolli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari i rastit, Albert Haliti njoftoi se ndaj të akuzuarit F.K., do të lëshohet urdhëresë për verifikim adrese dhe dorëzim ftese. Ndërsa, seanca u ndërpre në mungesë të kushteve ligjore.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 2 nëntor 2023, i akuzuari F.Z., ngarkohet se më 6 tetor 2023, në parkun e qytetit në Prishtinë, me dashje ka organizuar luftën ndërmjet kafshëve të llojeve të njëjta.

Aktakuza thotë se derisa ka qenë duke shëtitur qenin e racës Pitbull pa maskë mbrojtëse, të njëjtin ia ka vërsulur një qeni endacak, ashtu që qeni i tij e ka kafshuar qenin endacak në kokë dhe nuk e ka lëshuar derisa kanë vrapuar disa qytetarë për t’i ndarë.

Për këtë, akuzohet e ka kryer veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve dhe ndotja e ushqimit dhe e ujit të shtazëve”, nga neni 346, par.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në pikën II të kësaj aktakuze, thuhet se i akuzuari F.Z., në të njëjtën ditën dhe në vendin e njëjtë, derisa kanë vrapuar disa qytetarë per t’i ndarë qentë dhe pasi i pandehuri ka tentuar t’i sulmojë dhe qytetarët, në mesin e tyre ka qenë edhe zyrtari policor D.K., i cili kishte qenë duke shëtitur dhe nuk ishte në uniformë, kështu që para ushtrimit të autorizimeve policore ishte prezantuar se është zyrtar policor ashtu siç e parasheh Ligji për Policinë dhe i ka kërkuar të pandehurit letërnjoftimin për ta identifikuar.

Por, në aktakuzë thuhet se i pandehuri F.Z., me dashje e ka sulmuar zyrtarin policor D.K,, duke e shtyrë me dorë dhe pastaj ka vrapuar dhe ka tentuar të largohet dhe pse i dëmtuari ka tentuar disa herë ta ndalojë, duke i thënë “ndal policia”, por që pandehuri nuk ështe ndalur dhe i dëmtuari e ka futur nën kontroll.

Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa ishin duke e pritur patrullën e policisë, i pandehuri F.Z., e ka goditur me kokë ne fytyrë të dëmtuarin, duke i shkaktuar thyrje të kockës së hundës (pa dislokim) që si të tilla kualifikohen si lëndim i lehtë trupor.

Aktakuza thotë se derisa i dëmtuari-zyrtari policor D.K., e ka shtrirë në tokë dhe gjatë futjes nën kontroll, i pandehuri ka tentuar të ikë dhe është rrëzuar dhe ka rënë me fytyrë në tokë, me ç’rast është lënduar dhe ka pësuar thyrje në hundë, lëndime këto që sipas ekspertizës kualifikohen si lëndim i rëndë trupor.

Për këtë, i akuzuari ngarkohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 401, par. 5 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të ngjashme