Mungon i akuzuari që shkaktoi aksident nga i cili ndërroi jetë një person, dështon seanca

Prishtinë | 02 Qer 2022 | 12:20 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet seanca fillestare ndaj S.K i akuzuar nga Prokuroria Themelore se ka kryer veprën penale “ Rrezikim i trafikut publik”.

Gjykatësi i rastit Ngadhnjim Arrni konstatoi se në seancën e sotme nuk është i pranishëm i pandehuri S.K pasi që nga fletë kthesa rezulton se dikush e ka pranuar këtë ftesë, por gjykata nuk mund të identifikoj saktë nëse e ka pranuar i pandehuri apo dikush në emrin e tij.

Përkundër mungesë së të akuzuarit, në seancën e së enjtes e pranishme ishte prokurorja Elza Bajrami si dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar.

Meqë nuk u plotësuan kushtet e nevojshme për mbajtjen e kësaj seance e njëjta u shty për kohë të pacaktuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo si rezultat i mungesës së të pandehurit por edhe vetë faktit se gjykatësi Arrni theksoi se para se gjykata të merr veprime tjera procedurale fillimisht do të vlerësojë nëse ka kompetencë territoriale për të vazhduar më tutje apo jo.

Pasi që sipas aktit akuzues, aksidenti ka ndodhur në fshatin Komoran, Komuna e Gllogovcit dhe parimisht kjo lëndë do dërgohet për procedim të mëtejshëm ne Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega Drenas.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në janar të vitit 2020, në fshatin Komoran komuna e Drenasit, përderisa i pandehuri S.K  ishte duke drejtuar automjetin e tij nga fshati Rusinoc në drejtim të Gllogovcit, ka shkelë Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor duke rrezikuar jetën njerëzve dhe kjo ka rezultuar me vdekjen e një personi, respektivisht në atë mënyrë që nga pakujdesia nuk ka përshtatë lëvizjen me kushtet e rrugës.

Sipas aktit akuzues i akuzuari ka goditur motoçikletën e cila po kyçej në udhëkryq në mënyrë të pasigurte dhe e cila drejtohej nga viktima I.B, i cili si pasojë ë këtij aksidenti pëson dëmtime të renda trupore dhe përkundër investigimeve mjekësore dhe aplikimeve adekuate të terapive, gjendja ka qenë e rëndë dhe vdekja ka rezultuar nga pamjaftueshmëria e funksionit  të zemrës dhe mushkërive, dy ditë pas aksidentit me datë 9 prill 2018.

Më këtë po akuzohet se ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik” nga neni 378 par.9 lidhur ne par.6 dhe par.1 të KPRK-së,  vepër kjo e dënueshme  me burgim prej një  deri në tetë vjet.

Të ngjashme