Në mungesë të të dëmtuarit Nexhat Zenjullahu, të mërkurën në Gjykatën Themelore të Prishtinës sërish ka dështuar të nisë rigjykimi ndaj Kadri Batushës, i cili po akuzohet për mashtrim rreth shitblerjes së një banese.
Batusha akuzohet se ka mashtruar Nexhat Zejnullahun duke i fshehur faktet dhe e ka bindur atë të lidhë një kontratë për shitblerjen e një banese. Zejnullahu i kishte dhënë Batushës një veturë me vlerë 25 mijë euro dhe para mbi 65 mijë euro, por banesa nuk u ndërtua kurrë.
Mbrojtësi i të dëmtuarit Nexhat Zejnullahu, avokati Veton Rrecaj tha se i mbrojturi i tij e ka njoftuar se nuk mund të jetë prezent për shkak se jeton në Zvicër dhe e ka pasur të pamundur që të vijë në këtë kohë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi Sabit Sadikaj tha se është propozuar edhe marrja në pyetje e dëshmitarit Ragmi Zeqiri, mirëpo policia nuk kanë pasur mundësi ta gjejnë adresën e saktë të tij.
Lidhur me këtë, mbrojtësi i të akuzuarit Kadri Batusha, avokati Ilir Bekteshi tha se do të tentojnë të sigurojnë adresën e dëshmitarit Zeqiri mirëpo sipas tij, kjo gjë nuk është e sigurt pasi që i njëjti jeton në Maqedoninë e Veriut.
Po ashtu avokati Bekteshi tha se nëse nuk arrijnë që të sigurojnë prezencën e dëshmitarit Zeqiri në seancën e radhës atëherë heqin dorë nga dëshmia e tij.
Gjithashtu, në këtë seancë ka munguar edhe dëshmitarja Ardita Hyseni, për të cilën gjykatësi Sadikaj tha se e njëjta është ftuar në mënyrë të rregullt por që ka rezultuar që adresa të jetë e pasaktë.
Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme është shtyrë për një datë tjetër.
Edhe seanca e kaluar më 23 gusht 2024 kishte dështuar të mbahej për shkak të mungesës së prokurorit të shtetit.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës më 23 janar e kishte liruar nga akuza për mashtrim të akuzuari Batusha.
Por, më 24 nëntor 2023, Gjykata e Apelit e ka kthyer këtë rast në rigjykim, për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes të ligjit penal.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 16 dhjetor 2015 ka ngritur aktakuzë kundër Kadri Batushës, sepse më 16 maj 2014 në Prishtinë, është inicuar rasti kundër të njëjtit, me arsyetimin se ka vepruar në atë mënyrë që me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme, e ka sjellë në lajthim të dëmtuarin Nexhat Zejnullahu, duke e shtyrë të veprojë në dëm të pasurisë së tij.
Aktakuza thotë se i pandehuri Batusha duke fshehur faktet e ka bindur të dëmtuarin që të bëjë kontratë mbi shitblerjen e banesës, e cila ishte planifikuar të ndërtohet në Prishtinë, në lagjen “Mati 1”, me sipërfaqe prej 129,00 metra katrorë, me një çmim kontraktues prej 90 mijë e 300 euro.
Tutje, akti akuzues thotë se i dëmtuari i ka besuar të pandehurit pas prezantimit të lejes së ndërtimit dhe planit të banesës, me ç’rast fillimisht në emër të çmimit kontraktues të pandehurit ia jep një veturë të tipit “Audi” në vlerë 25 mijë euro dhe 20 mijë euro para të gatshme.
Kurse, pjesën tjetër të mbetur të parave prej 45 mijë e 300 euro i dëmtuari ia kishte paguar të pandehurit dy javë më vonë edhe pse banesa në fjalë nuk është ndërtuar kurrë, me ç’rast i dëmtuari ka pësuar dëm material.
Me këtë, Batusha akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 335, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet.