Mungon ish-ministri Nenad Rikalo, dështon gjykimi për korrupsion ndaj tij dhe shtatë zyrtarëve të tjerë

Prishtinë | 22 Mar 2021 | 12:17 | Nga Ekonomia Online

Në Departamentin Special, të hënën, ka dështuar të nis shqyrtimi gjyqësor në rastin ku ish-ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Nenad Rikalo, sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, Kapllan Halimi dhe gjashtë zyrtarët tjerë, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri, po akuzohen për korrupsion.

Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance ka qenë mungesa e të akuzuarit Nenad Rikalo, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Rikalo, avokati Miodrag Brkljaq ka njoftuar gjykatën se klienti i tij është izoluar, pasi ka pasur kontakt me një të infektuar me virusin COVID-19.

Avokati Brkljaq njoftoi se gjatë ditëve në vijim edhe Rikalo do t’i nënshtrohet testimit dhe gjykata do të njoftohet me kohë për rezultatin.

“Pritet që për dy ose tri ditë të dal raporti edhe për Nenadin, për të cilën me kohë do ta njoftoj edhe gjykatën”, tha avokati Brkljaq.

Në këtë seancë nuk kanë prezantuar as dëshmitarët Shqipe Demaj dhe Danica Laban. Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e kësaj seance, gjykatësi Mentor Bajraktari mori vendim që e njëjta të shtyhet për 27 prill, në ora 9:30.

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktakuzën për korrupsion në këtë rast.Ankesë ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë për konfirmim të aktakuzës kishin bërë mbrojtësit e të akuzuarve Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkëlzen Morina, Leon Thaci, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 26 dhjetor 2019, të pandehurit Nenad Rikalo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri dhe Ekrem Gjoka, akuzohen se në bashkëveprim, gjatë vitit 2018, me qëllim që tu mundësojnë përfitim në mënyrë të kundërligjshëm kompanive si: konzorciumit “ Novus” SH.P.K, për fitimin e grandit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore” në Prishtinë, konzorciumit “Dhemetra” SH.P.K për fitimin e grandit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organit” (duke mos qenë fare në listën e projekteve të cilat mbulohen me financim përmes grandeve), koncorziumit “ DOO Zubin Potok” për fitimin e grandit “ Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, si dhe konzorciumit NTP “Arena Engineering” në Pejë, për fitimin e grandit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit” në Pejë, me qëllim kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural neni 5.1, neni 8, neni 13 paragrafi 1.2, neni 4, neni 14.2  Ligji 03/L098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, neni 8 dhe 9, rregullores ( QRK) nr. 37/2013, neni 7.1, paragrafi 1.1, Udhëzuesi dhe Doracaku për hartimin e konceptit të dokumenteve nga Zyra e Kryeministrit.

Këtë thuhet se e kanë bërë ashtu që i pandehuri Nenad Rikalo, në cilësinë e Ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka tejkaluar kompetencat e tij, ka hartuar një “Program të veçantë”, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grandit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregullt, me datë 26 mars 2018, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin me nr. ref. KM 91/18 për hartimin e politikave të reja për zhvillim të mëtutjeshme të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara, me ç ‘rast  edhe programin ua dorëzon vet të përfunduar, ndërsa komisionin e kishin formuar vetëm formalisht.

Tutje, thuhet se i pandehuri Kapllan Halimi, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në këtë ministri, ka tejkaluar kompetencat e tij ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka nxjerr vendimin me ref.nr. ZSP 266/18 për t’ua mundësuar përfitim në mënyrë të kundërligjshme kompanive të sipërcituara, emëron grupin punues në përbërje prej 11 anëtarëve për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale, duke qenë në dijeni se ky grup nuk është kompetent dhe nuk ka njohuri për përpilimin e këtij programi, derisa ishte në dijeni se ky grup ishte vetëm formal, duke ditur se drafti është dorëzuar nga vet ministri Rikalo.

Sipas akuzës, i pandehuri Shefki Zeqiri, në cilësinë e personit zyrtar në këtë ministri, gjatë vitit 2018, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, e ka hartuar dhe aprovuar Udhëzimin Administrativ 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat Rurale më pak të zhvilluara”, edhe pse e kishte ditur që ky program ishte hartuar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Rregulloren (QKR) nr. 37/2013, duke i anashkaluar procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë që është kompetencë e Departamentit të Politikave për zhvillim Rural në MBPZHR.

Ndërsa, sipas akuzës, i pandehuri Ekrem Gjoka, në cilësinë e personit zyrtar, ushtrues detyre i Kryeshefit të AZHB-së, në mënyrë të kundërligjshme ka marrë vendimin ref.nr. ZHB-07/4/54/2018 për formimin e grupit punues, i cili grup do të bëj kontroll administrative, vlerësim, miratim dhe kontraktimin e projekteve të masës të infrastrukturës rurale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme