Mungon vullneti politik për të zbatuar rekomandimet e Auditorit

Prishtinë | 01 Gus 2017 | 11:45 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Institucioneve qendrore dhe lokale nuk kanë vullnet politik për shqyrtimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm, raporton Ekonomia Online.

Kjo u bë e ditur gjatë publikimit të të gjeturat nga Instituti Demokratik i Kosovës nga analiza e raporteve të Auditimit mbi shkeljet në prokurimin publik.

Diana Metushi-Krasniqi, menaxhere e projektit, tha se gjatë analizimit të raporteve kanë vërejtur se vetëm 34 për qind e të gjeturave të Auditorit janë në zbatim.

“Në nivelin qendror vetëm 31% të rekomandimeve të vitit paraprak janë zbatuar plotësisht, ndërsa 35% të rekomandimeve nuk janë adresuar fare. Sa i përket nivelit lokal vetëm 25% të rekomandimeve ZKA të vitit 2015 janë zbatuar plotësisht, ndërsa 40% të rekomandimeve nuk janë adresuar. Ajo që e vlen të theksohet se 34% të rekomandimeve nga viti 2015, janë në proces të zbatimit, që edhe pse nuk janë zbatuar plotësisht, ekziston një vullnet për përmirësimin e këtyre gjetjeve”, tha ajo, raporton EO.

Po ashtu theksoi se përderisa niveli lokal ka më të shprehur problemet lidhur me vlerësim të tenderëve dhe shmangie të procedurave, niveli qendror ka të shprehur problemin në menaxhimin e kontratave.

Nga analiza e raporteve të auditimit të rregullsisë për vitin 2016, del se komunat me më së paku gjetje të evidentuara në prokurim publik janë: Komuna e Junikut, Suharekës dhe Zubin Potokut, ndërsa komunat me më së shumti gjetje janë ato të Gjakovës, Ferizajt dhe Prishtinës. Duhet pasur parasysh se këto të fundit njëkohësisht zhvillojnë edhe numrin më të madh të prokurimeve publike në nivel lokal.

Sa i përket institucioneve qendrore, ministritë me më së paku gjetje të evidentuara në prokurim publik janë: Ministria e Integrimit Evropian, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Ndërsa ministritë me më së shumti gjetje janë Ministria E Punëve të Brendshme, Ministria e Administratës Publike, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Ndërsa Artan Canhasi, tha se shumë nga rekomandimet të Auditorit përsëriten nga viti në vit, raporton EO.

“Në vazhdim, mund të konkludojmë që Zyra Kombëtare e Auditorit ka përgatitur raporte të një kualiteti të respektueshëm. Këto raporte duhet të merren për bazë nga institucionet ndjekëse sikurse prokuroria për të evidentuar shkeljet që përbëjnë vepra penale dhe për të kërkuar përgjegjësi nga akterët që kanë shkelur ligjet”, ka thënë ai.

Gjithashtu, KDI kërkon nga institucionet si Kuvendi i Kosovës dhe Asambletë Komunale që të marrin në përgjegjësi politike zyrtarët të cilët raportojnë në këto trupa. 

 

Të ngjashme