Murati: 2 milionë euro të avulluara në AKI kur opozita e sotme ishte në pushtet

Prishtinë | 08 Tet 2025 | 10:42 | Nga Ekonomia Online

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, duke përdorur raportimin për dyshimet për fondin special të AKI-së, u është përgjigjur kritikëve se qeveria në detyrë nuk ka të drejtën legjitime për të ndarë para për studentët në kohë fushate.

“2 milionë euro të avulluara në AKI kur opozita e sotme ishte në pushtet. Qe ku i kanë çu milionat këta që sot po ankohen pse po u ndahen nga 100 euro studentëve”, ka shkruar Murati.

Ndërkohë që Kallxo.com të martën ka raportuar për dyshimet për fondin special të AKI-së, 2 milionë euro pa evidencë- hetimi mbyllet me parashkrim

Sipas raportimit të tyre, në korrik të vitit 2024, Agjencia Kosovare e Inteligjencës, pas një inspektimi të brendshëm, kishte dorëzuar në Prokurorinë Speciale një dosje, e cila flet për dyshime se rreth 2 milionë euro ishin keqpërdorur nga tre ish-drejtorët e AKI-së në periudhën kohore 2017–2020.Dosja tregonte se ish-drejtorët e AKI-së, Driton Gashi, Shpend Maxhuni dhe Kreshnik Gashi, duke menaxhuar me një fond special, kishin shpenzuar rreth 2 milionë euro, për të cilat kryeinspektori i AKI-së, Kujtim Shala, thotë se ka dyshime se u keqpërdorën.

Hetimet për këtë dosje, Prokuroria Speciale i ka mbyllur me arsyetimin se për Driton Gashin dhe Shpend Maxhunin është bërë parashkrim relativ, kurse për Kreshnik Gashin ka konstatuar se nuk ka prova. Parashkrimi është institut i së drejtës penale, sipas të cilit disa vepra penale nuk mund të hetohen nëse kalon një kohë nga kryerja e tyre.Por Agjencia Kosovare e Inteligjencës këmbëngul se provat janë të qarta dhe të bazuara, se fondi special i menaxhuar nga këta tre ish-drejtorë është keqpërdorur.Për ta sqaruar krejt situatën, kryeinspektori i AKI-së, Kujtim Shala, në shkurt të vitit 2025 ishte paraqitur në Prokurorinë Speciale.“Më datë 28 shkurt 2025 i jam përgjigjur pozitivisht ftesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në cilësinë e dëshmitarit. Kjo ftesë lidhet me lëndën/dosjen të cilën AKI e ka përcjellë vitin e kaluar në Prokurorinë e Shtetit, pas procedurës së një inspektimi të brendshëm që i përket periudhës 2017–2020, nga i cili proces kanë rezultuar dyshime të bazuara për keqpërdorim të buxhetit të AKI-së, rrjedhimisht buxhetit të Republikës së Kosovës”, tha Shala për KALLXO.com.

Sipas tij, dyshimet lidhen vetëm me tre ish-drejtorët që kanë drejtuar AKI-në gjatë kësaj periudhe kohore.“Pra, për të shmangur çdo paqartësi apo keqkuptim të mundshëm, sqaroj se inspektimi në fjalë është ndërmarrë për periudhën 2017–2020 dhe gjetjet e tij tregojnë për dyshime të kryerjes së veprave penale, si: keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, përvetësim në detyrë dhe përdorim i paautorizuar i pasurisë, lidhur me shpenzimin e buxhetit të AKI-së. Ripërsëris se dyshimet e ngritura në lëndën/dosjen e lartpërmendur ndërlidhen me tre ish-drejtorë që kanë drejtuar AKI-në gjatë periudhës 2017–2020, megjithatë keqpërdorimet më të mëdha dyshohet se kanë ndodhur gjatë periudhës 2017–2018”, sqaroi kryeinspektori Shala.Informatat që kishte pranuar KALLXO.com flisnin në detaje për dyshime se Shpend Maxhuni, Driton Gashi dhe Kreshnik Gashi, duke i shkelur procedurat e brendshme, kishin menaxhuar një fond të veçantë që rridhte nga buxheti i AKI-së.

Dosja e dorëzuar në Prokurori ngriti dyshime se, pa u përfillur procedurat e brendshme të AKI-së, në kuadër të një operacioni ishte rritur buxheti për informatorët nga një në dy milionë euro dhe ishte zgjatur afati i operacionit pa ndonjë arsyetim.Shpenzimi i këtij fondi, sipas inspektimit të brendshëm të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, ishte bërë pa u evidentuar pranuesit dhe në ato raste kur dihej kush i kishte pranuar paratë, nuk kishte të dhëna për informatat që ishin siguruar me milionat e shpenzuara.

“Raporti i inspektimit konstaton që shuma e cila ka dyshime të bazuara që është shpenzuar në kundërshtim me ligjin, përkatësisht është përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga persona të ndryshëm, është afërsisht shuma që ju përmendni në pyetjen tuaj. Sipas këtij inspektimi, nuk rezultojnë të evidentuara asnjë e dhënë apo informacion i siguruar, administruar dhe i shfrytëzuar nga AKI që ndërlidhet apo ka referencë me këto shpenzime. Shpenzimi i buxhetit të AKI-së, përveç dispozitave ligjore obligative për menaxhimin financiar në nivel vendi, rregullohet edhe me akte të brendshme të cilat kërkojnë arsyetimin e detajuar të çfarëdo shpenzimi të parasë publike. Dhe shumat e paguara që janë trajtuar në raportin/lëndën e dorëzuar në prokurori nuk përmbajnë arsyetimin përkatës dhe, për më keq, disa prej tyre nuk iu dihet as destinacioni e as përfituesi i fundit, çka ngre dyshime për përfitim të kundërligjshëm nga vetë personat e përmendur nga ana juaj”, thuhet në përgjigjen e kryeinspektorit të AKI-së, Kujtim Shala.Ish-drejtori i AKI-së, Driton Gashi, i cili udhëhoqi këtë institucion nga shkurti i vitit 2017 e deri në prill të vitit 2018, nga ky fond i veçantë ka shpenzuar mbi 1 milion euro, thotë dosja e AKI-së. Prej tyre, 500 mijë euro dihet kush i kishte pranuar, kurse për gjysmë milioni euro nuk ka evidencë se kush i kishte pranuar. Pra, për mbi 500 mijë euro, kryeinspektori i AKI-së, Kujtim Shala, pretendon se nuk dihet në cilën adresë kanë përfunduar.Në ditën e dorëheqjes së tij, më 10 prill 2018, Driton Gashi nga fondi special operativ ka tërhequr një shumë prej 350 mijë euro. Këto para nuk dihet se ku kanë përfunduar.Kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës këtë veprim e cilëson si dyshimin më të rëndë gjatë këtij inspektimi.

“Raporti/lënda e dorëzuar në prokurori, në mes tjerash, përmban edhe dyshimet për tërheqje të mjeteve financiare nga buxheti i AKI-së në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe për të cilat nuk dihet destinacioni i tyre. Në këtë drejtim, shuma e përmendur nga ana juaj është në mesin e dyshimeve më të rënda që kanë dalë nga ky proces i inspektimit. Ajo që e bën më të rëndë ka të bëjë me faktin që rasti ka ndodhur në ditën e dorëheqjes nga pozita e drejtorit të AKI-së. Destinacioni i këtyre mjeteve nuk ka adresë dhe i mbetet organit të ndjekjes për t’i dhënë përgjigje këtij dyshimi”, konfirmoi Shala.KALLXO.com ka kontaktuar ish-shefin e AKI-së, Driton Gashi, me qëllim realizimin e një interviste për t’i sqaruar këto pretendime. Ai nuk është deklaruar para kamerës, por pretendimet e raportit, Gashi i ka cilësuar si lojëra të inspektorit të përgjithshëm të AKI-së.Driton Gashi, përmes telefonit, ka thënë se nuk mund të ketë koment apo qëndrim për diçka që nuk është i njoftuar zyrtarisht.“Përgjigja ime është jo, s’kam koment. Edhe e dyta, unë nuk kam asnjë informatë zyrtare se është duke u ba një hetim. Tash këto lojna që i bën inspektori i përgjithshëm i AKI-së janë lojna të tij. Përndryshe, për media s’kam çka me deklaru përderisa s’kam kurrgjë zyrtare”, tha Driton Gashi përmes telefonit.

Fillimisht, sqaruam se si në dosje të AKI-së, të dorëzuar në Prokurorinë Speciale, thuhet se Driton Gashi nga fondi special operativ kishte shpenzuar mbi 1 milion euro, prej të cilave 500 mijë euro nuk dihet se kush i kishte pranuar. Por, për 500 mijë të tjera, kryeinspektori i AKI-së, Kujtim Shala, e ka konfirmuar se i ka pranuar vetëm një person.Ai person është Fatmir Sheholli, i njohur për publikun dhe i përmendur në foltoren e Kuvendit nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.“Veç mos e tako Fatmir Shehollin, veç mos rri me Fatmir Shehollin, bashkëpunëtorin e Serbisë”, kishte deklaruar Albin Kurti, kryeministri tani në detyrë, më 03.11.2023, teksa po debatonte me deputetin e PDK-së, Hysen Berisha.Ish-shefi i AKI-së, Driton Gashi, në 9 raste thuhet se i ka dorëzu tek Fatmir Sheholli mbi 500 mijë euro. Fatmir Sheholli në atë kohë kishte pranuar para edhe nga ish-drejtori tjetër i AKI-së, Shpend Maxhuni.

Vlera e parave që Maxhuni kishte dorëzuar tek Sheholli në 4 raste llogaritet të jetë 139 mijë euro.

Fatmir Sheholli, në një bisedë me KALLXO.com, ka pranuar që në atë kohë ka bashkëpunuar me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, por në lidhje me raportin ai theksoi se nuk është në dijeni dhe nuk është ftuar nga Prokuroria Speciale për intervistim.

“Unë kam bashkëpunu në atë periudhë me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, por për këto çështje që po i thu ti, bash këto janë muhabete për të cilat le t’i grahë prokuroria, se unë nuk kam lidhje për shumën që e ka përmend ai. Është e vërtetë që kemi bashkëpunu me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës”, tha Sheholli përmes telefonit.

Në pyetjen nëse ka pranuar rreth 640 mijë euro në disa raste prej drejtorëve të AKI-së, ai nuk u përgjigj drejtpërdrejt.

“Dëgjo, na kemi kry shërbime që nuk janë për opinion. Edhe këto sene nuk mundem me ua thanë juve. Çfarë veprime, çfarë angazhime m’ka dhanë në atë kohë Agjencia e Inteligjencës”, tha mes tjerash Sheholli.Në përgjigjen për KALLXO.com, kryeinspektori i AKI-së, Kujtim Shala, konfirmon se Shehollit i ishin dorëzuar mjetet e lartpërmendura.“Njëri nga personat që ka përfituar nga veprimi i kundërligjshëm ka qenë edhe personi i përmendur nga ana e juaj”, thotë Shala.Përpos ndaj ish-shefit të AKI-së, Driton Gashi, dyshime u ngritën edhe për ish-shefin tjetër të AKI-së, Shpend Maxhuni. Gjatë mandatit të tij dyshohet se një shumë e mjeteve u shpenzua në të njëjtën formë, ndërsa pretendimet kryesore janë për një shumë prej 300 mijë eurosh që përfundoi nga AKI në duart e ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Raporti i AKI-së, i dorëzuar në Prokurorinë Speciale, pretendon se Behgjet Pacolli në cilësinë e ministrit të Punëve të Jashtme kishte pranuar nga Shpend Maxhuni rreth 300 mijë euro.

Para këtij vendimi, më 6 nëntor të vitit 2018, Qeveria e Kosovës, në atë kohë me kryeministër Ramush Haradinajn, me një vendim i kishte transferuar 600 mijë euro nga kursimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës. Ky vendim është publik në faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës.

Sipas burimeve, nga këto 600 mijë euro, 200 mijë ishin transferuar në kategorinë e investimeve kapitale, 100 mijë euro janë shfrytëzuar për mallra dhe shërbime, kurse 300 mijë euro ishin destinuar për fondin special operativ.

Shuma prej 300 mijë eurove që ishte destinuar për këtë fond që dyshohet se është keqpërdor, pretendohet se ishte dorëzuar nga Shpend Maxhuni te Behgjet Pacolli, atëherë ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës. Shuma ishte dorëzuar në fillim të nëntorit të vitit 2018.

Kryeinspektori i AKI-së e konfirmon këtë të dhënë për KALLXO.com.

“Siç e potencova edhe më lart, nga veprimet e dyshuara të kundërligjshme të ish-drejtorëve të AKI-së kanë përfituar persona të ndryshëm dhe në mesin e tyre figuron edhe personi i përmendur nga ana juaj dhe jo vetëm. Nuk dihen arsyet e këtij shpenzimi, mbetet që në organet e hetuesisë të sqarohet ky shpenzim”, thotë Shala.

Ish-presidenti Behgjet Pacolli, përmes telefonit, tha se nuk është në dijeni të një raporti të tillë.

“Dy lidhje nuk i kam për çka po flitini, po dy lidhje s’i kam për çka po flitini, absolutisht. Nuk di, s’di për atë raport. Fare nuk e di, nuk di për çfarë raporti po flisni”, theksoi Pacolli.

I pyetur konkretisht nëse ka pranuar para nga AKI-ja, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës në periudhën 2017–2020 përmendi çështjen e lobimit për pranimin e Kosovës në INTERPOL.“Nuk e di fare çka është në pyetje, nëse flitet për një lobim, atëherë m’duket se ka qenë për Interpol. Ato janë mjete që lidhje s’kam unë me to fare hiç. Ato janë mjete që kanë shku prej ministrisë, mundet me qenë që kanë shku në lobim për shtetet për t’i kthy me votu për Kosovën, nuk e di tjetër fare, unë s’kam lidhje me to”, tha Pacolli.Dosja e dorëzuar në Prokurorinë Speciale pretendon se këto 300 mijë euro Pacolli i kishte pranuar në prezencën e Jetlir Zyberajt, ish-këshilltarit të tij. KALLXO.com ka provuar të marrë edhe versionin e Jetlir Zyberajt, por ai nuk ka pranuar të realizojë një intervistë e as nuk ka kthyer përgjigje.Meqë ish-ministri i Jashtëm i Kosovës përmendi lobimin për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, atëherë KALLXO.com ka gjurmuar rreth zhvillimeve që kishin ndodhur në nëntor të vitit 2018 rreth përpjekjeve për anëtarësim në këtë organizatë.Në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it, e cila ishte mbajtur në Dubai prej 18 deri më 21 nëntor të vitit 2018, pra rreth 2 javë pasi Pacolli, si ish-ministër i Jashtëm, kishte pranuar 300 mijë euro nga AKI-ja, Kosova nuk kishte arritur të siguronte votat për anëtarësim.Ish-shefi i AKI-së, Kreshnik Gashi, i pafajshëm sipas Prokurorisë Speciale.Në pretendimet e ngritura nga kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës janë edhe veprimet e ish-shefit të AKI-së, Kreshnik Gashi. Edhe gjatë mandatit të tij rreth 300 mijë euro fonde nga kjo linjë buxhetore nuk janë qeverisur sipas rregullave, konstaton raporti i dorëzuar në Prokurori Speciale.Përmes telefonit, Kreshnik Gashi tha se këto pretendime nuk janë të vërteta. Ish-shefi i AKI-së shtoi se çdo mjet është shpenzuar në forma të ligjshme.“Asnjë keqpërdorim s’ka ndodhë, çdo fond që është shpenzu, është shpenzu në mënyrë ligjore. Prandaj nëse ki diçka m’i dërgu me shkrim”, u përgjigj shkurt Gashi.KALLXO.com ka dërguar edhe pyetje me shkrim, por Gashi nuk ka kthyer përgjigje.Për Kreshnik Gashin, Prokuroria Speciale ka dalë me një konstatim se në veprimet e tij nuk kishte vepër penale edhe përkundër dyshimeve të ngritura nga vet AKI.“Në raport me të paraqiturin tjetër në njoftim të AKI-së, dt. 27.06.2024, ish-drejtorin e AKI-së K.G, nuk ka rezultuar se në veprimet e tij përmbushën elementet e veprës penale të pretenduar e as të ndonjë vepre tjetër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale.Ky konstatim i Prokurorisë Speciale nuk është dorëzuar ende në zyrat e AKI-së.Mbyllja e dosjes për Driton Gashin dhe Shpend MaxhuninProkuroria Speciale, në një vendim të nxjerrë gjatë vitit 2025, ka vlerësuar se dyshimet ndaj Driton Gashit dhe Shpend Maxhunit nuk mund të hetohen për shkak se lënda ka arritur një parashkrim relativ. Parashkrimi është institut i së drejtës penale, sipas të cilit disa vepra penale nuk mund të hetohen nëse kalon një kohë nga kryerja e tyre.PSRK ka vlerësuar se nuk mund t’i hetojë Driton Gashin dhe Shpend Maxhunin për shkak se nga dita kur pretendohet se është kryer vepra penale kanë kaluar më shumë se 5 vite.“Ju njoftojmë se PSRK ka pranuar një njoftim nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, dt. 27.06.2024. Pas analizimit të këtij njoftimi ka rezultuar dyshimi se në periudhën kohore nga data 14.11.2017 deri me datën 10.04.2018, ish-drejtori i AKI-së D.G, ndërsa në periudhën kohore nga data 14.05.2018 deri me datën 08.11.2018, ish-drejtori i AKI-së Sh.M, kanë ndërmarrë veprime në kuadër të detyrës zyrtare që pretendohej se përbënin vepër penale ‘Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar’. PSRK, pas verifikimit me saktësi të kohës së kryerjes së veprës penale, ka ardhur në përfundim se në raport me të paraqiturit në njoftim D.G dhe Sh.M, bazuar në dispozita ligjore të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kemi parashkrim relativ të ndjekjes penale, pasi që veprimet që pretendohej se janë ndërmarrë nga ana e tyre i përkasin periudhës kohore gjatë viteve 2017–2018, ndërsa informacioni në Prokurori është paraqitur më 27.06.2024, që do të thotë pasi që kanë kaluar 5 vite nga koha kur pretendohet se është kryer vepra penale. Rrjedhimisht, instituti i parashkrimit të ndjekjes penale i pamundëson organeve të ndjekjes që të ndërmarrin veprime tjera hetimore”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale për KALLXO.com.Agjencia Kosovare e Inteligjencës nuk ishte informuar nga Prokuroria Speciale për mbyllje të hetimeve. Kryeinspektori i AKI-së tha se për mbylljen e hetimeve për këtë rast ka dëgjuar vetëm pas interesimit të KALLXO.com.Ai ka shtuar se vendimi për mbylljen e hetimeve, kurdo që pranohet, do të atakohet.“Në cilësitë tona si udhëheqës aktualë të institucionit, ndjejmë përgjegjësi të plotë për të adresuar çdo formë të keqpërdorimit dhe për të siguruar që llogaridhënia dhe drejtësia të zbatohen pa asnjë përjashtim. Prandaj, nga momenti që do të njoftohemi se ky rast është mbyllur, ne do të ndjekim të gjitha veprimet ligjore për të atakuar këtë vendim. Bazuar në konstatimet dhe evidentimet e përfshira në raportin e inspektimit, i cili është përcjellë në Prokurorin e Shtetit, keqpërdorimi i buxhetit të AKI-së nga tre ish-drejtorët është i qartë, i rëndë dhe nuk gjen asnjë mbështetje faktike apo bazë ligjore që do ta justifikonte shpenzimin e parasë publike, në përputhje me ligjin dhe aktet e brendshme të AKI-së”, thuhet në përgjigjen e kryeinspektorit të AKI-së.Dosja për fondin prej rreth 2 milionë eurove zyrtarisht është e mbyllur në Prokurorinë Speciale, mirëpo AKI ende nuk është njoftuar me rezultatet finale të rastit. Në rast se AKI do të njoftohet me rezultatet, atëherë kjo Agjenci do ta shqyrtojë mundësinë që të dorëzojë çështjen në Prokurorinë e Apelit.Aktualisht, drejtor i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës është Petrit Ajeti, i cili u emërua nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tani në detyrë.Petrit Ajeti u emërua drejtor i AKI-së në vitin 2021. Ndërkaq, kryeinspektori Kujtim Shala ka marrë këtë pozitë në vitin 2022.Sipas Ligjit për AKI-në: “Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me Kryeministrin emërojnë së bashku Drejtorin e AKI brenda 20 ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”.Shërbimi i tashëm inteligjent, i cili është themeluar pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008. Në qershor të vitit 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Të ngjashme