Deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, në emisionin Desku në KTV ka thënë se amandamentet e Ligjit të Rimëkmëbjes nuk janë të reflektuara në Projektligjin e Buxhetit.
“Projektligji i Buxhetit nuk ka kaluar ende nga Komisioni, duhet të kalojë fillimisht aty dhe të shkojë në seancë, nëse e kalon leximin e parë mund të flasim për amandamentim. Por, kështu siç është konsideroj, dhe ky është mendim profesional dhe pajtohen të gjithë anëtarët e Komisionit paçka që disa mund edhe të mos e thonë publikisht, që do të duhej të kthehej mbrapa. Pra, Qeveria do të duhet ta marrë se ka aq shumë gabime dhe aq shumë ndryshime duhet të bëhen sepse me amandamente janë të pamundshme. Duhet qindra amandamente pastaj, sepse nëse e prek tabelën një në një pozitë aty tek klauzola e investimeve duhet të hyhet në të gjitha projektet me i ndryshuar, është problematike me e bë ne si Kuvend, duhet Qeveria me e korrigjuar dhe me e ridorëzuar”, ka thënë Murati.
Ai ka shtuar se këto amandamente që janë në Ligjin e Rimëkëmbjes që është miratuar nuk janë aspak të reflektuara në projektligjin e buxhetit edhe do të ketë problem kushdo që ia mëson me i reflektuar për shkak se është një program ‘çeku blanko’ që po e përmendi, prej 182 milionë eurosh nga të cilat një pjesë janë përmes klauzolës së investimeve, që janë të rezervuara, pra dihet se ku duhet të shpenzohen dhe nuk mund të shpenzohen për gjëra të tjera.
“Janë dikund 130 ose 140 milionë euro që janë paraparë në Ministri të Financave si çek blanko, me të cilat mund të vendos Qeveria që potencialisht t’i çojë në asfalt, nëpër autostrada. Tek ky 130 milionëshi ka me pas sfidë, kushdo që tenton me e zbatuar ligjin e Rimëkëmbjes, sepse u tha aty që ndikimi buxhetor, apo shpenzimet do të jenë 200 apo 300 milionë euro, u përmenden shifrat deri në 560 milionë euro, dmth secili përfaqësues të koalicionit qeverisës që e dëgjojshe dikush thoshte 200 dikush 400 e pat edhe 600 milionë euro shifra, pra secili thoshte një shifër të ndryshme. Kjo tregon se as nuk e dinë se sa do të jetë kostoja. Por, me siguri se do të jetë mbi 2-300 milionë euro kostoja e atij ligji për t’u zbatuar”, ka thënë Murati. “Imagjino, këtë 300 milionë euro këta duhet me u kthy e me futë në këtë 130 milionëshin që e kanë në projektligj të buxhetit. Për me e shpjeguar këtë për qytetarët i bie sikur dikush që këmbën e ka numër 45 me e provuar në këpuca numër 30, dmth nuk ka mundësi”.
Murati ka shtuar se Qeveria gjithmonë mundet me e tërheqë çdo projektligj që e sjellë, kjo ka qenë kërkesa, që të tërhiqet ky projektligj dhe të bëhen korrigjimet e nevojshme.