Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se buxheti për vitin 2025 do të jetë në mbështetje të qytetarëve dhe familjeve kosovare “përmes rritjes së pagave e pensioneve që ka bërë Qeveria”, raporton Ekonomia Online.
Pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë, Murati ka thënë se buxheti që pritet të jetë 3 miliardë e 600 milionë euro është gjithëpërfshirës.
“Është një projektligj gjithëpërfshirës. Kryesisht ka shkuar në mbështetjet të qytetarëve dhe familjeve. Shumica e buxhetit shkon për paga… si buxhet kemi shkuar në vij me kornizën ligjore. Kemi shtuar edhe një dispozitë që ka të bëjë më normën progresive tatimore, tatim i cili mblidhet dhe i shkon komunave. Jemi qeveria e vetme që të gjitha ligjet për ndarjet buxhetore i ka dërguar në afate. Shpesh herë ka ndodhur që është vonuar miratimi i buxhetit”, ka thënë Murati.
I pyetur nëse ngritja e pagave ka të bëjë me afrimin e datës së zgjedhjeve, Murati ka thënë se kjo çështje është bërë duke u bazuar në tri ligje që e përcaktojnë se si bëhet ndarja buxhetore.
“Rritja u prezantua me ligjin e buxhetit, të njëjtën gjë e kemi bërë edhe vitin e kaluar dhe pra nuk ka pasur zgjedhje. Ka rastisur që tani të jenë zgjedhjet. Po të kishte qenë që buxheti që të ishte përcaktuar për më herët do të ishte miratuar. Kemi tri ligje që e përcaktojnë se si bëhet kjo punë dhe në cilat data”.
Ai ka shtuar se nuk ka paligjshmëri të ngritja e pagave.
“Dilema mund të ketë çdo kush, pash që ka mundur që të ketë edhe keqkuptime. Të gjithë shërbyesit publik do të përfitojnë nga ngritja. Me ligj të buxhetit po e procedojmë ngritjen e pagave. Nuk ka të bëjë me paligjshmëri dhe dilemat që janë ngritur”, ka thënë ai.