Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se “prishja” e raporteve të Qeverisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kryesisht propagandë me elemente të Beogradit, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Financave ka fajësuar Prokurorinë Speciale pse s’po forcohet argumenti para ndërkombëtarëve se Serbia me dinarët që i transferonte në Kosovë sponsorizonte edhe grupet terroriste.
“Ne jemi partner të përkushtuar dhe i ndajmë të gjitha informatat e nevojshme me ta. Është një vendim i BQK-së i dhjetorit të vitit të kaluar. Ka qenë i planifikuar të hyjë në fuqi më 1 shkurt. Ne koordinohemi, konsultohemi dhe kemi parasysh të gjitha aspektet. Të gjithë partnerët ndërkombëtarë e mbështesin njëzëri qëllimin që do të arrihet përmes këtij vendimi, i vetmi dallim ka qenë te periudha tranzitore. Këto prishjet e raporteve janë propagandë të elementeve kryesisht nga Beogradi për një çështje që është tërësisht teknike”, ka thënë Murati në konferencë për media të mërkurën.
“Sepse mungon një aktakuzë. Mungon veprimi i Prokurorisë. Si mund të presim nga partnerët tanë që të kenë urgjencë për sulmin në Banjskë, kur ka institucione në Kosovë që e marrin me shumë qetësi këtë far çështje. Të gjithë po presim që Prokuroria të lëvizë rastin e Banjskës dhe do ta përforconte argumentin tonë”, ka shtuar Murati.
E dështimet për shumë premtime që i kanë bërë, Murati, i ka ndërlidhur me luftën në Ukrainë, pandeminë e mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nga ana e opozitës.
Murati tha se implementimi i tyre nuk do të ndalet, pavarësisht vonesave.
“Mund të them që në fillim kemi pasur një agjendë me ambicioze, ajo ka qenë në situatë pa kriza. Jemi ballafaquar me kriza që probabiliteti për t’u përballur me kriza është një herë në 10 vjet… kishim edhe shkallë të inflacionit dy shifrore. Kishim disa krize që kanë ndodhur në tri vite qeverisje. Është dashur që të ballafaqoheni me to që t’u dalim në ndihmë qytetarëve. Kjo ka ndikuar që disa prej reformave që të shtyhen. Kemi pasur edhe disa vonesa në ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Kanë qenë këto situata që e kanë shty implementimin e reformave në kohë, por implantimi i tyre nuk do të ndalet”, ka thënë ai.