Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati ka pritur në takim ambasadorin e ri të Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, për të diskutuar rreth programit qeverisës, Pakos së Ringjalljes Ekonomike dhe Projektligjit për Buxhetin e vitit 2022.
Siç thuhet në njoftimin e Ministrisë, Murati e ka mikpritur ambasadorin De Riu dhe ka prezantuar punën e Ministrisë, duke u fokusuar në masat e Pakos së Ringjalljes Ekonomike, menaxhimin e mirëfilltë të financave publike dhe rritjen ekonomike që ka pasur vendi muajve të fundit.
De Riu ka theksuar se ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në vend, e sidomos Projektligjin për Buxhetin 2022, i cili drejtpërdrejtë synon arritjen e objektivave të parapara në Programin Qeverisës 2021-2024.
Murati gjatë takimit e njoftoi ambasadorin De Riu për gjendjen me situatën pandemike, duke theksuar se Qeveria ka ndërmarrë një varg masash për kontrollin e pandemisë duke e bërë Kosovën vendin me popullsinë më të vaksinuar në regjion.
De Riu falënderoi Murati për pritjen dhe theksoi se do ta mbështesin Qeverinë Kurti në arritjen e qëllimeve për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës, si dhe do të vazhdojnë me rritjen e bashkëpunimit në mes të dy vendeve.