Ministri i Financave, Hekuran Murati, i ka bërë thirrje punëdhënësve të sektorit privat që t’i rrisin pagat për punëtorët e tyre, raporton Ekonomia Online.
Murati në një konferencë për media të martën bashkë me kryeministrin Kurti, ka thënë se Qeveria po ofron mbështetje për punëtorët e këtij sektori, por që këtë sipas tij, duhet ta bëjnë edhe vetë punëdhënësit.
“Bëjë thirrje për të gjithë punëdhënësit në sektorin privat që të shikojnë mundësinë e rritjes së pagave për punëtorët e tyre pasi do të ishte mirë që të shfrytëzohet edhe nga sektori privat që të rrisin pagat e tyre”, ka thënë Murati.
Sipas tij, për mbështetjen që Qeveria ka publikuar e që përfshinë pensionistët, punëtorët e sektorit publik, privat dhe studentët, duhet të bëhen edhe disa ndryshime ligjore.
“Për tu përmbushur e tërë pakoja e mbështetjes, na duhet që t’i kemi edhe disa ndryshime ligjore, është marrëveshja me Bankën Botërore për zgjerimin e skemës sociale, është Ligji për pagën minimale dhe Ligji për rishikimin e Buxhetit që na mundëson që t’i kemi këto mjete shtesë, për këtë mbështetje shtesë. Ligji për pagën minimale, përveç që rrit pagën, ofron edhe rritje të pagës neto për të gjithë punonjësit”, ka thënë Murati.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se për pensionistët dhe punëtorët e sektorit publik shtesa prej 100 euro për muajin prill mund të ekzekutohet menjëherë, ndërkaq për punëtorët e sektorit privat dhe studentët nevojitet që të hapet procesi i aplikimit.
“Në radhë të parë do të jenë pensionistët që do ta marrin këtë mbështetje shtesë, pastaj do të jenë edhe pagat e sektorët publik, kurse për punëtorët e sektorit privat dhe studentët gjatë ditëve në vijim do të hapim procesin e aplikimit pasi nuk i kemi të dhënat e llogarive bankare”, është shprehur Murati.