Ministri i Financave, Hekuran Murati ka reaguar pas deklaratave të përfaqësuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) duke thënë se pagesat nga buxheti i shtetit për periudhën e parë 6-mujore të këtij viti, janë 1 miliardë e 38 milionë euro.
Murati ka shkruar në Facebook se me taksat që mbledh dhe rishpërndan, shteti është një kontribuues i rëndësishëm në ekonominë e vendit.
“Pagesat që shteti bën, qoftë në formë të pagave, pensioneve, mallrave që blen, apo edhe investimeve kapitale, që të gjitha kontribuojnë në ekonominë e vendit. Ditëve të fundit, nga opozita por edhe nga disa media, kemi parë një fushatë agresive e cila pretendon se qeveria ka bllokuar ekonominë, sepse nuk po shpenzon. Mirëpo, të dhënat, nga po ai raport të cilit i referohet opozita, tregojnë të kundërtën. Nga grafiku mund të shihet se periudha 6-mujore e parë e vitit 2022, për sa i përket shpenzimit është më e lartë se të gjitha vitet paraprake, madje edhe më e lartë se viti 2021, kur kishte edhe zgjedhje. Pra, argumenti se qeveria nuk po e mbështetë ekonominë e vendit, nuk qëndron aspak, sepse siç edhe mund të shihet nga grafiku, shpenzimet dhe pagesat nga buxheti i shtetit janë më të lartat ndonjëherë”, ka shkruar Murati.
Ndërsa, sipas LDK-së, katër ministri në Qeverinë Kurti, në gjashtë muajt e parë të vitit 2022 nuk kanë shënuar asnjë investim kapital.
LDK thotë se sipas Raportit Financiar të Thesarit, investimet kapitale në periudhën gjashtëmujore kanë qenë vetëm 9 për qind apo më të ulëtat në dhjetë vitet e fundit.
“Ky raport shpërfaq me fakte dhe numra paaftësinë qeverisëse të pushtetit. Ndërkaq, mosefikasiteti i Qeverisë në realizimin e projekteve kapitale po përkthehet me rënie ekonomike, mbyllje biznesesh, humbje të vendeve të punës, rritje të varfërisë si dhe dëmtim zinxhiror në të gjitha fushat e kapluara nga kriza”, u tha nga LDK-ja.