Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka thënë se nuk është zgjidhje tërheqja e 10 përqindëshit nga Trusti.
Ai në Interaktiv të KTV-së ja thënë se me ligj, Kuvendi dhe Qeveria e ka mandatuar që ato para të mos tërhiqen pa asnjë arsye tjetër, përveç se për pensionim.
“Për t’i tërhequr 10 për qind nga Trusti, fillimisht ka të bëjë me parimin dhe qëllimin. Për nga aspekti parimor duhet ta shohim pse është themeluar Fondi Pensional. Arsyeja pse është themeluar një institucion i tillë është që të sigurohet që një qytetar kur e mbërrin moshën e zakonshme dhe mos me u bërë barrë e shtetit dhe mos me u bërë rast social, por me pasur kursime për të jetuar”, ka thënë ai,
Murati ka thënë se është e palogjikshme që Qeveria të thotë se po iu ndihmon qytetarëve me paratë që iu përkasin vetë atyre.
“Nëse thyhet ky parim kush na garanton që në një situatë të tillë, për shembull në muajin janar nuk e bëjnë një veprim të tillë përsëri. Ku është matësi dhe kush e përcakton se situata është e rëndë. Ne vazhdimisht kemi situatë të rënduar sociale”, ka thënë ai.
Murati ka thënë se më të goditurit nga pandemia do të marrin më së paku nga Trusti.
“Nuk e mbërrijnë këtë qëllim, për shkak se në Trust, shumica e njerëzve që kanë kursime, janë ata që i kanë pagat e mëdha. Pra, dikush që e ka pagën 2.000 mund t’i ketë 30.000 euro të kursyera në Trust. Dikush që është i regjistruar kamarier, apo ndonjë profesion tjetër me pagë minimale, nëse e ka fatin që punëdhënësi e ka regjistruar dhe ia paguan kontributet, jemi duke folur për kontribute që mbase nuk shkojnë as në 500 euro në total”, ka thënë Murati.
Për më tepër, si ka thënë ai, janë të shumtë ata që nuk janë të regjistruar dhe nuk kanë asnjë kontribut.
“Pra nuk po iu ndihmohet shtresës së prekur këtu, njerëzve që po vuajnë. Këtu thjeshtë po iu mundësohet disa njerëzve që kanë rroga të mira, që kanë puna të rehatshme, që paguhen mirë, t’i marrin një pjesë të kursimeve”, ka thënë Murati.
Ai ka folur edhe për aspektin që është përmendur, të rritjes ekonomike, ose i rritjes së kërkesës agregate.
“Edhe këtu janë dy probleme: Njëri problem është që nëse rritja agregate pretendohet të bëhet përmes rritjes së konsumit: ne e kemi problem importin, te ne shumica e konsumit është nga importi. Tash nëse rritet importi, ne nuk po e rrisim ekonominë e vendit, ne po e tkurrim atë, pasi që paratë dalin menjëherë jashtë. Dhe, e dyta është që pikërisht këta persona prej shtresës së pasur që mund të kenë kursime, këta nuk janë duke bërë shpenzime për ta rritur kërkesën agregate në këto momente, për shkak të pasigurisë së gjendjes ekonomike e edhe shëndetësore; ata po i mbajnë paratë në bankë. Kjo dëshmohet në rritjen e depozitave”, ka thënë ai.