Albin Kurti ka deklaruar sot në Lezhë se Bashkimi Kombëtar është i pamundur për shkak të Kushtetutës së Kosovës.
Por, kjo deklaratë nuk është pritur mirë në Kosovë nga njerëzit që kanë besuar në një ide të tillë. Valon Murati që udhëheq Lëvizjen për Bashkim nuk e ka kursyer veten duke e akuzuar Kurtin për “populizëm elektoral” me temën në fjalë.
Murati ka thënë se Kurti është dashur të tregojë se si do t’i bëj ndryshimet kushtetuese të nevojshme për t’i hapur derën Bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, e jo të thotë gjëra që dihen tashmë.
“Kryeministri në ardhje me vite të tëra ka propaganduar bashkimin dhe realizimin e tij me referendum. Asnjëherë nuk ka treguar se si do të ndryshohet kushtetuta si një parakusht i bashkimit. Nuk ka dyshim se kjo ka qenë një popullizëm tipik elektoral”, ka thënë Murati për Periskopin.
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim është shprehur se Kurti nuk duhet të nxjerr arsyetime në këtë kohë të marrjes së pushtetit.
Ai ka propozuar edhe një herë tjetër idenë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë, dhe ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, për të arritur deri te Bashkimi Kombëtar.
Vitet e fundit ka një zbehje të dëshirës për Bashkim Kombëtar në Kosovë.
Reagimi i plotë i Muratit:
Se Kushtetuta e Kosovës e ndalon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë kjo është ditur që nga koha kur parimet e Pakos së Ahtisaarit janë bërë pjesë e kësaj kushtetute. Se në përgjithësi me rregullimet e veta kjo kushtetutë e bën jofunksionale Kosovën po ashtu është e ditur. Një ndër telashet më të mëdha është fakti se Kushtetuta nuk mund të ndryshojë pa 2/3 e deputetëve të pakicave, rrjedhimisht pa votën e Listës Serbe. E po ashtu dihet se nuk ka ligj për referendum, por edhe nëse do të kishte, ai nuk do të kishte fuqi ta ndryshojë kushtetutën (madje me referendum sipas kushtetutës nuk mund të ndryshohen as ligjet që u takojnë tetë fushave me interes vital për pakicat, e le më kushtetuta).
Por duke i ditur të gjitha këto Kryeministri në ardhje me vite të tëra ka propaganduar bashkimin dhe realizimin e tij me referendum. Asnjëherë nuk ka treguar se si do të ndryshohet kushtetuta si një parakusht i bashkimit. Nuk ka dyshim se kjo ka qenë një popullizëm tipik elektoral.
Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është jo vetëm i drejtë por edhe i domosdoshëm për zhvillimin socio-ekonomik si dhe konsolidimin në planin e sigurisë për kombin shqiptar në Ballkan. Duke qenë kështu, kryeministri në ardhje nuk duhet tani të nxjerr arsyetime se kushtetua nuk na e lejon bashkimin por të tregojë se cila është rruga e ndryshimeve kushtetuese, të cilat jo vetëm që e hapin derën e bashkimit por mbi të gjitha i krijojnë kushtet për konsolidimin e shtetit të Kosovës.
Në rrethanat aktuale nuk ka rrugë tjetër përveç që përmes bisedimeve me Serbinë të arrihet një marrëveshje për ripërcaktimin e kufijve (Kosova Lindore me Kosovën, tri komunat në veri me Serbinë) dhe si produkt i saj të ndryshohet kushtetuta e Kosovës. Me një marrëveshje të tillë atëherë do të mund të flitet edhe për mundësitë e bashkimit. Por një marrëveshje e tillë është e vetmja që po ashtu e bën Kosovën një shtet plotësisht funksional dhe e largon Serbinë nga Kosova përfundimisht. Çfarëdo marrëveshje e cila përfshin asociacionin, apo vazhdohet kështu me status-quo, nënkupton se Serbia do të jetë prezentë në Kosovë përmes mekanizmave që kushtetuta ka paraparë për komunitetin serb. Përmes tyre gradualisht do të punojë në defunksionalizimin e shtetit të Kosovës