Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar se nga hyrja në fuqi e platformës “Superpuna”, janë punësuar mbi 4 mijë vajza e gra. Kështu tha në pritjen e të rinjve që kanë qenë përfitues nga skema e kuponëve nga Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Murati tha se janë 240 të rinj dhe të reja, që kanë ndjekur trajnime për teknologjinë informative pa pagesë.
“Pas tri viteve në qeverisje kemi platformën ‘Superpuna’ e cila çdo muaj shton nga një mijë anëtarë të rinj, kemi 5 mijë vende pune të lira në platformën ‘Superpuna’, kemi edhe ndarjen e bursave për shkencë, teknologji, inxhinieri e matematikë për vajza e gra”, tha Murati.
Sipas tij, janë mbi 4 mijë vajza e gra përfituese të kësaj fushe.
“Kemi pasur edhe shtimin e programeve të reja në qendrat e aftësimit profesional. Janë 240 të rinj dhe të reja nga rajone të ndryshme që kanë ndjekur trajnime në teknologjinë informative pa pagesë. Falë këtyre trajnimeve disa nga ju keni fituar njohuri dhe janë pajisur me shkathtësi për përdorimin e inteligjencës artificiale. Qëllimi ynë konsiderohet i realizuar në momentin që secili nga ju është i përgatitur për t’u integruar në tregun e punës”, tha ministri Murati.
Ndërsa Tobias Seiberlich, menaxher i projektit në GIZ, tha se sot po festohet ky pilot-projekt.
“Nëse shikojmë më thellë ky është një hap i madh. Unë ju përgëzojë që keni arritur të fitoni njohuri dhe ekspertizë. Unë jam duke shikuar që të vazhdojmë edhe në të ardhmen bashkëpunimin me Ministrinë e Financave dhe Agjencinë e Punësimit”, tha ajo.
E drejtoresha e Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës, Jehona Rexha, tha se përfitues janë mbi 200 të rinj e të reja.
“Falë një përkushtimi të juaj dhe një bashkëpunimi që kemi pasuar me GIZ-in kemi arritur të zhvillojmë këtë skemë të jashtëzakonshme për të rinjtë e Kosovës për një zhvillim të karrierës. Gjithsej 24 kompani kane aplikuar të cilët ju kanë mundësuar që ju sot bashkë me ne ta festojmë këtë, me krenari mund ta themi që mbi 200 të rinj e të reja janë përfitues”, ka thënë ajo.