Murati: Me Projektligjin për Tatimin në pronë synohet të ulen çmimet e banesave

Prishtinë | 10 Kor 2023 | 13:08 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se me Projektligjin për Tatimin në pronë synohet të reduktohet çmimi i banesave.

Ai tha se përveç faljes së vlerës deri në 100 euro për tatimin në pronë për vitin 2023, Projektligji për Tatimin në pronë parasheh uljen e çmimit të banesave nga viti 2025 përmes aplikimit të taksës progresive.

Murati tha se është e rëndësishme që projektligji të votohet sot, para muajit shtator kur obligohet kryerja e pagesave nga tatimpaguesit. Murati tha se Qeveria e Kosovës synon që ndërtimtarët të cilët i mbajnë banesat pa i shitur, t’i lirojnë ato në treg.

“Me këtë projektligj, çfarë kemi propozuar është që për vitin aktual të zvogëlohet barra e tatimpaguesve për secilin deri në 100 euro. Kjo pra prek 95 për qind të qytetarëve”, tha ai.

“Çështja e dytë ka të bëjë me periudhën kalimtare për vitin e ardhshëm ku pragu prej 0.15 për qind ulet në 0.10 për qind për të gjithë. Dhe, për vitin 2025 e tutje, është propozu që të ketë tatim progresiv, pra të përshkallëzuar, e ku me lirimet e përshkuara për pronën primare duhet të arrihet vlera prej 275 mijë euro e pronës, në mënyrë që të fillojë të paguhet më shumë. Pra kushdo që është nën 275 mijë të vlerës së pronës, i bie të paguajë më pak”, u shpreh ministri Murati.

“Ky është pra synimi. Deri më tani çka ka ndodhë është që, sikur dikush që e ka pasur një banim primar, sikur dikush që i ka pasur 20 banesa si ndërtimtar e i ka mbajtur pa shitur – në mënyrë që të ndikojë në mungesë të ofertës dhe kësisoj ta mbajë çmimin e lartë – kanë paguar njësoj tatim. Këtë po tentojmë ta ndryshojmë. Në momentin që atij që i mban 20 banesa pa shitë, sepse do ta bllokojë tregun, i bëhet më shtrenjtë patjetër atëherë do t’i lëshoj ato në treg dhe kësisoj ndikon edhe në reduktimin e çmimit. Është pozitive për ata që kanë nevojë të blejnë banesa. Pra, do të mundësohet të ketë banim më tëpërballueshëm edhe për ta, sepse do të ketë ofertë më të madhe në treg sepse do të bëhet më shtrenjtë për t’i blloku stokun e banesave të pashitura”.

Të ngjashme