Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të premten ka miratuar Propozim-vendimin për ndarjen e shtesave të njëhershme në vlerë prej 100 euro për fëmijët 0-16 vjeç dhe pension marrësit, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Financave Hekuran Murati, ka thënë se mjetet tash janë ndarë dhe se bëhet fjalë për rreth 700 mijë përfitues që do të përfitojnë nga këto shtesa.
“Më duhet të jap edhe një sqarim sepse ka pasur keqkuptime apo hamendje nëse janë të përfshirë edhe skemat e tjera përveç skemës së pensionit të moshës. Pra, të gjitha skemat janë të përfshira, edhe kategoritë e luftës edhe kategoritë e aftësive të kufizuara. I vetmi kusht është që nuk mund të përfitoj dikush nëse është përfitues i më shumë se njërës skemë, nuk mund të përfitoj dy herë, kriteri tjetër është se të ardhurat nga skemat shtetërore, të ardhurat e konsoliduara duhet të jenë nën 700 euro në muaj. Mjete tash janë ndarë, bëhet fjalë për rreth 700 mijë përfitues që do të përfitojnë nga këto shtesa”, tha ai.