Deklarata e fundit e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, vlerësohet se është një reflektim pozitiv ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.
Njohësi i çështjeve politike, Artan Murati thotë për Ekonomia Online se Vetëvendosje duhet të jap versionin final e ta definoj situatën në të cilën po gjendet vendi, ashtu siç ka kërkuar edhe Mustafa në deklaratën e fundit.
Murati ka thënë se përmbajtja e ofertës së LDK-së anon nga oferta që ka qenë në fillim.
Andaj thotë se pozita e kryeparlamentari duhet t’i kthehet LDK-së.
“Është pozitive që ka një refleksion të LDK-së karshi ofertës së fundit të Vetëvendosjes për arritjen e një marrëveshje. Kjo nënkupton që mund të ketë lëvizje në këtë drejtim. Kundër oferta e LDK-së duhet të vlerësohet nga ana e LVV dhe të jepet versioni final i saj. Pas deklarimeve të fundit të Isa Mustafës i cili kërkon që të merret një përgjigje definitive dhe të definohet situata. Kjo në aspekt kohor është në rregull dhe ndoshta përshpejton arritjen ose dështimin e koalicionit.
“Është për keqardhje që dy subjektet kanë ardh në një situatë të tillë. Tani janë duke imponuar edhe afate kohore karshi njëra tjetrës për të pranuar oferta ose jo. Është tej zgjatur e gjithë saga për arritjen e një koalicioni potencial mes dy partive. Përmbajtja e ofertës së LDK-së, ka kërkuar që të kthehen në pikën zero ku kanë qenë më herët. Sipas deklarimeve të të dyja subjekteve të ketë ndarje të barabartë të ministrive dhe posti i kryeparlamentarti ti kthehet LDK-së ashtu siç ka qenë në fillim”, u shpreh Murati.
Por, analisti politik ka deklaruar se kjo situatë do të sjell implikime në Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas tij, nëse VV-ja pranon këtë ofertë, do të jetë përfundimi i një seriali të gjatë.
Ndër të tjera, ai ka thënë se oferta e fundit do të jetë test real për Albin Kurtin për të arritur një marrëveshje mes dy partive politike.
“Kjo do të ketë implikime procedurale sepse do duhet të shkarkohet Glauk Konjufca e pastaj të votohet një person tjetër, kjo mund të jetë një lloj loje me figurat e të dyja subjekteve që do të ishin kandidatë për të qenë kryetar/e të Kuvendit. Nëse kjo ofertë është e pranueshme për LVV atëherë do të sjell një përfundim të një seriali të gjatë i cili është pritur të përfundoj më shpejt”
“Testi real për Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje sa i përket vullnetit të tyre për të arritur një koalicion me LDK-në. Ndonëse vullneti ekziston, tani është në dorën e tyre për të vendosur për një gjë të tillë. Por pas deklaratave të LVV se çështja e Glauk Konfjucës është e mbyllur kjo mund të sjell problem në strukturat udhëheqëse të LVV. Do të ketë individ të pakënaqur brenda LVV edhe kërkesat që mund të reflektojnë pastaj në një vendim final nga kjo parti. Mbetet që sa më shpejt LVV ta trajtoj këtë ofertë e të jep një përgjigje LDK dhe gjithë qytetarëve të vendit”, tha ai duke shtuar se pavarësisht gabimeve të mëdha, ka hapësirë për arritjen e një koalicioni”.
“Ka hapësirë të mjaftueshme për koalicion përkundër faktit se nga të dyja anët ka pasur disa hapa të gabuar politikisht që kanë ndikuar në proces të përafrimit. Nëse arrihet koalicioni duhet të ketë besim të mirëfilltë, sepse nuk mund të qeveriset duke ia pasur frikën partnerit të koalicionit. Vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, duhet që të shihen alternative të tjera se si do të bëhej një qeveri funksionale në rast të dështimit të koalicionit”, tha ai për EO.