Murati: Pa rezistencën shqiptare nuk do të kishte ndërhyrje të NATO-s

Prishtinë | 12 Qer 2019 | 14:09 | Nga Ekonomia Online

Kosova sot po shënon 20-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, një ndërhyrje që i dha fund masakrave dhe gjenocidit serb mbi popullatën shqiptare.

Valon Murati, kryetar i Lëvizjes për Bashkim, thotë se nuk ka dyshim që kjo ndërhyrjen ishte shumë e rëndësishme për Kosovën, por, thotë se pa rezistencën shqiptare dhe luftën e UÇK-së nuk do të kishte ndërhyrje të NATO-s.

“Sot po festojmë 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës, edhe duke iu falënderuar të gjithë aleatëve tanë që na ndihmuan që kjo ditë të vijë. Nuk ka dyshim se ndihma e tyre, ndërhyrja e NATO-s ishte e rëndësishme si akt i çlirimit të Kosovës. Por, të gjithë duhet që jo vetëm të jemi të vetëdijshëm por edhe krenar e ta transmetojmë nga brezi në brez se faktori më meritor për lirinë e Kosovës është rezistenca shekullore e popullit shqiptar që kulmoi me luftën e armatosur çlirimtare të UÇK-së”, shkruan Murati, përcjell Koha.net.

Pa përpjekjet tona të vazhdueshme, shkruan tutje Murati, pa luftën tonë, pa dëshmorët e luftës së fundit dhe të të gjithë brezave, nuk do të krijoheshin rrethanat që kjo rezistencë të përputhej edhe me interesat ndërkombëtare dhe të kishim një ndërhyrje ndërkombëtare e cila, përfundimisht, do të na lidhte në aleancë me shtetet kryesore të NATO-s, të prira nga SHBA-të.

“Ne këtë aleancë duhet të dimë ta ruajmë dhe ta kultivojmë, por gjithashtu duhet ta ruajmë dhe kultivojmë edhe krenarinë e ligjshme për rezistencën dhe luftën tonë çlirimtare. Sepse nëse këtë të fundit e injorojmë, ne futemi në ciklin e pritjeve të vazhdueshme nga aleatët duke e amnistuar përgjegjësinë tonë që Kosovën ta bëjmë një vend dinjitoz”, përfundon ai.

Kujtojmë gjithashtu se Murati dje ka ndarë një pjesë nga ditari i tij, ku ka kujtime nga lufta.

Postimi i plotë:

“Vendimi për të hyrë në mënyrë masovike në Prishtinë (njësitë e gueriljes “BIA” me detyra defansive kanë qenë tërë kohën në shumë lagje të Prishtinës), ishte një vendim i drejtë dhe unë e përmbajta që nga fillimi. Kjo hyrje filloi që më 9 qershor, ndërsa më 11 qershor do të hyjmë edhe Agimi (Kuleta), Baci (Fatmir Humolli), Cali (Sali Mustafa, komandanti i “BIA-s”, unë dhe të tjerët. Të njëjtën ditë erdhi edhe Remi dhe e vendosi komandën në Kolovicë, përderisa baza e “BIA-s” ku valonte flamuri që më 11 qershor, ishte vetëm 300-400 metra nga baza e njësive të SAJ-it (njësitë speciale antiterroriste të Ushtrisë Jugosllave, që ishin njësitë e saj më elite).
Hyrja në Prishtinë ishte një vendim gjithashtu i rëndësishëm politik, sepse kur hynë trupat e NATO-s ne veç ishim në Prishtinë. Kjo dëshmonte organizimin dhe forcën tonë. Për ne në aspektin shpirtëror ishte e rëndësishme pritja që na e bënë qytetarët e Prishtinës, të cilët me muaj kishin jetuar nën ankthin e vrasjeve, masakrave dhe terrorit psikik permanent. Kjo ishte një pritje e ngrohtë, ashtu siç populli i pret bijtë e vet çlirimtarë.”
Pjesë nga ditari dhe kujtimet e luftës (vetëm pjesërisht e botuar).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme