Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se përfituesit më të mëdhenjtë gjatë pandemisë kanë qenë tregtarët, raporton Ekonomia Online.
Në seancën e sotme të Kuvendit, ai ka thënë se ekzekutivi nuk i ka refuzuar fondet e MCC-së.
“E kemi sqaruar sa e sa herë, ju lutem dëgjoni po bëhet e tepërt, fondet nuk kanë humbur. Kemi filluar riorientimin në kapacitete të energjisë së gjelbër kjo në ngritjen e resurseve njerëzore”, ka thënë Murati.
“Dëgjoni se po bëhet e tepërt fondet nuk kanë humbur. Janë dy faktorë importi, rritja e çmimeve në import dhe manipulimet që mund të bëhen në emër të këtij inflacioni. Në vazhdimësi akuzohet qeveria por nuk dëgjova të thuhet që edhe tregtarët kanë faj. Përfituesit më të mëdhenjtë gjatë pandemisë kanë qenë tregtarët. Tek rritja e çmimeve është importi që është fenomen global, dhe e dyta manipulimet qe mund të bëhen në emër të këtij inflacioni. Asnjëherë nuk e dëgjova që opozita nuk e tregon problemin ku është aty, por e kemi parë kur në pakot për pandeminë kanë përfituar tregtarët”.
“Ne kemi ndërmarrë disa masa subvencionimi i energjisë elektrike për prodhuesit dhe amvisëritë. Janë 120 milionë euro, 45 milionë euro për familjet për lehona, 150 milionë euro për pensionistë, 10 milionë euro për skema me asistencë sociale, 20 milionë euro për t’i shtuar subvencionet në bujqësi. Mbështetja për mbjelljen e grurit është trefishuar. U përmend edhe paga minimale dhe jemi duke punuar por sindikata në sektorin publik kanë refuzuar ta rrisin pagën minimale”, tha Murati.