Ndonëse krerët e shtetit në çdo deklarim kryefjalë e kanë “luftën” dhe “sulmin” nga Serbia, të kundërtën e mendon ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati. Ky i fundit, ka thënë se situata është e qetë, raporton Ekonomia Online.
Gjatë raportimit të mërkurën në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, Murati u pyet nëse deklarimet për luftë largojnë investitorët.
“Jemi të koordinuar në të kaluarën rreziku ka ardh edhe nga vetë brenda territorit kurse tash me rend dhe ligj nuk ka rrezik, çka mund të ketë rrezik është jashtë vendit në këtë rast, Serbi”, u shpreh Murati.
Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, pyeti Muratin nëse kjo deklaratë e tij është në shpëputhje me ato të krerëve të shtetit.
“Nuk po korrespondon me deklaratat e kryetarit, kryeministrit se situata në veri është e qetë, dhe kemi dëgjuar deklarata nga kryetari i kuvendit se do zhvillohet një luftë, këto deklarata nuk janë të mira për vendin, investitorët. Është ndonjë prapavijë kjo, nuk besoj se është mirë që krerët e vendit të proklamojnë luftë. Këto deklarata janë të pamatura. A jeni të koordinuar, me koordinim a pa koordinim”, pyeti Lekaj.
“Është tërësisht në përputhje deklarata e kryetarit dhe kryeministrit, kurrë më qetë situata nuk ka qenë në veri, rreziku mbetet vetëm nga jashtë”, u përgjigj Murati.
Lekaj pyeti edhe për masat nga Bashkimi Evropian. Pyeti nëse i di sa është dëmi i shkaktuar nga masat e BE-së.
“Ne po miratojmë marrëveshje ndërkombëtare po kemi të ngrira, nuk dimë kur do hiqen sanksionet, sado jemi të zbehtë me deklarime po pëson qytetari, vendi. Nuk ka muaj që nuk kërkohet të votohen marrëveshjet, nëse si ministër keni informacione sa ka pësu vendi në këtë drejtim, se është goxha shqetësuese për atë qe e kanë marrë implementimin e marrëveshjes përveç deklaratave të kryeministrit nuk kemi ndonjë informacion të saktë. Dua të dije si po shkon puna në këtë drejtim”, u shpreh Lekaj.
Ndërsa, ministri Murati tha së sa i përket heqjes së masave, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet.
“Masat e keni parë se raporti është përgatit nga përfaqësuesi i lartë i BE-së dhe presim një vendimmarrje. Sa i përket problemeve ka disa raste te Ministria për Komunitete dhe Kthim që ka qenë fondet për mbështetje të komunitetit serb. Kanë pësuar zona ku ka me shumë serbe”, u shpreh Murati.