Në konferencën përmbyllëse të vitit 2016 ministri i Diasporës, Valon Murati ka shpalosur sfidat dhe sukseset që kanë arritur gjatë vitit. Në fjalimin e tij Murati ka cekur marrëveshjen për arsim shqip në diasporë, marrëveshje kjo që u bë në bashkëpunim me Republikën e Shqipërisë.
“Në mesin e vështirësive të të gjitha natyrave, këtë vit kemi punuar në disa drejtime që besoj se do të japin rezultatet e tyre në vitet në vijim. Kemi punuar që marrëveshja për arsimin shqip në diasporë, së bashku me Republikën e Shqipërisë, të japë rezultatet e para”, ka thënë ai.
“Është punuar në kurrikulat e përbashkëta, në dokumentin e standardeve, ndërsa tani gjendemi para sfidës që marrëveshja vitin e ardhshëm të përfshijë edhe komponentë financiare, në mënyrë që të gjithë të mund të ecim para me fuqizimin dhe institucionalizimin e mësimit shqip në diasporë”, ka thënë Murati.
Ai ka cekur edhe aktivitetin e ditëve të verës ku janë shënuar rreth 200 aktivitete gjatë “Ditëve të Diasporës”.
Për herë të parë Murati tha se janë evidentuar rreth 400 mijë bashkatdhetarë gjatë regjistrimit, i cili për gjatë pesë viteve të tjera do të jetë në platformën online.
“Këtë vit, gjithashtu, së bashku me institucionet e tjera qeveritare, komunale dhe joqeveritare, kemi organizuar afro 200 aktivitete gjatë Ditëve të Diasporës, në muajt e verës. Kemi qenë të kujdesshëm që niveli i aktiviteteve të ketë rritje, duke qenë të vetëdijshëm se gjithnjë ka hapësirë për përmirësim. Kemi vazhduar edhe procesin e regjistrimit diasporës, duke evidentuar rreth 400 mijë bashkatdhetarë. Ky është viti i fundit i regjistrimit fizik, i cili do të vazhdojë edhe për pesë vjet si regjistrim “online”, ka thënë Murati .
Ai gjithashtu tha që gjatë vitit që po vjen synimet dhe platformat qeverisëse do përmirësohen. Duke cekur që Olimpiada sportive e organizuar këtë vit do të jetë edhe më tutje tradicionale.